Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë.
Pacolli me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se kjo ka ndodhur si pasojë e mos-respektimit të standardeve të ndërtimit.
“Kjo që shohim në Prishtinë është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve. Respektimi i ligjit dhe i kritereve teknike është jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, punëtorëve dhe stabilitetin e infrastrukturës sonë, andaj llogaridhënia duhet të jetë e plotë dhe e panegociueshme”, ka deklaruar Pacolli.
Pacolli më tej ka thënë se përmes Planit të ri Hapësinor të Kosovës do të vendosen kritere të rrepta që nuk lejojnë më, siç u shpreh ajo, improvizime.
“Për t’i dhënë fund kësaj mbrapshtie që është instaluar për vite me radhë, ne si Ministri do të bëjmë përpjekje që me Planin e ri Hapësinor të Kosovës të vendosim kritere të rrepta dhe standarde që nuk lejojnë më improvizime në dëm të qytetarëve”, përmbyll reagimin Pacolli.









