Behgjet Pacolli ka komentuar situatën që është duke ndodhur në zonën ku pritet të jetë Aeroporti i Vlorës.
Sipas tij, një pjesë e stafit nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës, ndërkaq një pjesë tjetër është bllokuar brenda dhe nuk po lejohen të dalin.
Pacolli madje ka thënë se mezi kanë arritur t’i fusin brenda ushqimet dhe medikamente për punëtorët që, sipas tij, nuk po lejohen të lëvizin.
Ky është postimi i tij i plotë:
Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.
E megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi. Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik.
Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik.
I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme, që po dëmton jo vetëm projektin, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë.









