Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës për 7 zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe 2 zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.
Sipas Pacollit, vendimet janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ajo bëri të ditur se, me këto vendime, numri i përgjithshëm i kontratave të punës të shkëputura në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve vartëse të saj ka arritur në 29.
“Më herët janë shkëputur kontratat për 20 zyrtarë të MMPH-së, ndërsa tash edhe për 9 zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së”, ka shkruar Pacolli.
Ministrja në detyrë theksoi se askush nuk mund ta mbajë statusin e të punësuarit pa i përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës.
“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, përfundoi Pacolli.








