Një situatë e rëndë po raportohet çdo ditë në Klinikën e Onkologjisë, ku pacientët me kancer dhe familjarët e tyre detyrohen të dalin që në orët e para të mëngjesit për të siguruar terapinë jetike.
Sipas informacioneve, radhët fillojnë që nga ora 04:00, ku pacientët presin për orë të tëra vetëm për të marrë trajtimin e domosdoshëm. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për persona në gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët përballen jo vetëm me sëmundjen, por edhe me një sistem që nuk po arrin t’i përballojë nevojat elementare.
Burimet tregojnë se kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me numrin e kufizuar të shtretërve për administrimin e terapisë, në raport me numrin e madh të pacientëve të prekur, çka po krijon radhë të gjata dhe pritje të detyruara.
Kjo gjendje po përshkruhet si alarmante, pasi pacientët detyrohen të presin në kushte të vështira, shpesh të lodhur dhe nën dhimbje, vetëm për të siguruar një terapi që duhet të jetë e garantuar pa pengesa.
Burime të afërta me pacientët tregojnë se kjo nuk është një rast i izoluar, por një realitet i përsëritur prej kohësh, që vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete.
Ndërkohë, kjo situatë vjen në një kohe kur skena politike dominohet nga zhvillime dhe kalkulime të vazhdueshme zgjedhore, duke lënë në hije probleme jetike si shëndetësia.
Situata në Onkologji ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e sistemit shëndetesor dhe për trajtimin e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
Rasti mbetet një test i rëndë për institucionet, të cilat pritet të japin përgjigje konkrete për një problem që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.









