Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Rezoluta mori mbështetje të gjerë, duke kaluar me 90 vota për, vetëm një kundër dhe asnjë abstenim.
Megjithatë, procesi i votimit u shoqërua me një moment diskutimi, pasi u vërejt se 10 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse ishin të pranishëm në sallë, nuk morën pjesë në procesin e votimit të kësaj rezolute.

Përmes këtij dokumenti, Kuvendi i Kosovës rikonfirmon mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe kërkon drejtësi e paanësi në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara.
Miratimi i kësaj rezolute u konsiderua si një hap i rëndësishëm i legjislaturës së re për të treguar unitet institucional ndaj procesit të Hagës, pavarësisht mospjesëmarrjes në votim të një pjese të deputetëve të LDK-së.










