Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) kanë shprehur mbështetjen e plotë për familjet Ramadani dhe Kiqina në kërkesën e tyre për drejtësi.
Në një reagim publik, këto organizata kanë theksuar se Burim Ramadani, Arsim Ramadani dhe Arben Kiqina janë luftëtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, sipas tyre, për më shumë se dy dekada kanë bartur mbi supe një padrejtësi të rëndë.
Sipas reagimit, familjet në fjalë presin prej vitesh zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa pretendohet se prova të rëndësishme janë fshehur gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Institucionet e ngritura mbi sakrificën e luftëtarëve u detyrohen një përgjigje këtyre familjeve. Jo më heshtje e zvarritje, por shqyrtim objektiv të çdo fakti që lidhet me rastin”, thuhet në reagimin e përbashkët.
OVL, SHIL dhe SHFD kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet të plotë të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë çështje, duke theksuar se drejtësia për këto familje është një obligim institucional dhe moral.
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të ngrenë zërin si në publik ashtu edhe brenda institucioneve, derisa e vërteta të dalë plotësisht në shesh.
“Drejtësia për këto familje nderon vetë shtetin dhe vlerat e krijuara me mund e sakrificë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.










