Vjosa Osmani thotë se i kishte besuar shumë Albin Kurtit. Tandemi në krye të shtetit të Kosovës duket se është prishur ndërsa presidentja tani ka treguar se kryeministri është pajtuar me “shumë gjëra” në dialogun me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të cilat ajo nuk ka qenë dakord.
Më 27 shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për një marrëveshje për “normalizimin e marrëdhënieve”. Pak ditë më pak. më 18 mars, Kurti dhe Vuçiqi ishin në Ohër ku u morën vesh për një aneks të zbatimit të asaj marrëveshjeje, e cila në nenin 7 të saj parashihte “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
Osmani thotë se i kishte besuar aq shumë Kurtit, sa që nuk kishte dërguar përfaqësues në dialogun me Serbinë.
“Kryeministri, edhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e udhëheq dialogun. Unë ia kam besuar plotësisht këtë udhëheqje dhe kam qenë presidentja e parë dhe e vetme që nuk ka dërguar përfaqësues të vetin në dialog. Edhe presidenti Thaçi ka pasur përfaqësuesin e vet në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë. Edhe presidentja Jahjaga ka pasë përfaqësuesin e saj në dialog”, tha ajo.
Përkundër kësaj, ajo tha se s’ishte pajtuar me “shumë gjëra” për të cilat Kurti ishte pajtuar me Vuçiqin. Në këtë rast, ajo e përmendi nenin 7 të marrëveshjes kryesore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë qeverisjes së Kurtit me vendit, i cili i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, duke treguar kështu besim të plotë në kryeministrin, përkundër faktit që shumë prej marrëveshjeve, shumë prej gjërave që i ka arritur atje, unë pastaj i kam kuptuar nga mediat. Përkundër faktit që shumë gjëra për të cilat ai është pajtuar atje, e ka ditur paraprakisht që unë nuk pajtohem me ato qëndrime, por nuk i kam ndërhyrë në punë, përveç rasteve kur ai ka kërkuar komente nga ana ime dhe ato komente ia kam dhënë me shkrim, ia kam dorëzuar dhe e ka ditur qëndrimin tim. Edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit, edhe për Aneksin e Ohrit, edhe statutin e Asociacionit, për të gjitha këto”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se ka pasur mospajtime me Kurtin edhe për “pjesë të caktuara të marrëveshjeve” që ai edhe “ka shprehur gatishmëri për t’i pranuar në Bruksel”.
Duke folur për marrëveshjen për “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ishin marrë vesh Kurti dhe Vuçiqi, Osmani tha se shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian atëherë, Josep Borrell e kishte dërguar atë në Kombet e Bashkuara ku u bë “ligjërisht e obligueshme”.
“Pastaj përfaqësuesi i Jashtëm, Borrell është deklaruar publikisht që me pajtimin e të dyja palëve po e konsideron që marrëveshja është arritur dhe ajo marrëveshje pastaj është dërguar në Kombet e Bashkuara, te sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, duke e konsideruar atë siç quhet, ‘legally binding’, pra ligjërisht e obligueshme”, tha ajo.
Osmani tha se ajo vetë nuk ka bërë “asnjë koncesion” në takimet dhe diskutimet që tha se i ka pasur, “qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë me shtetet e tjera”.
“Unë kam ndërtuar relacion të mirë, relacion besimi, por argumentet për ta mbrojtur Kosovën kurrë s’kanë qenë më të fuqishme”, tha ajo.
“Nuk mund ta gjejë askush një njeri nga partnerët ndërkombëtarë që i kemi takuar dhe i kemi pasur dhe i kemi interlokutorë, që do të mund të dalë dhe të thotë ‘Vjosa Osmani e ka pranuar këtë koncesion’, sepse nuk është e vërtetë një gjë e tillë”, tha ndër tjerash Osmani.









