Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një diskutimi në Universitetin Johns Hopkins në Washington D.C., ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i thjeshtë se ai i Ukrainës.
Në këtë intervistë, Osmani argumentoi përse Kosova duhet të jetë anëtare e Aleancës, duke shtuar se kjo mund të bëhet e mundur përmes angazhimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aq kompleks sa anëtarësimi i Ukrainës. Është më i thjeshtë se i Ukrainës në kuptimin që SHBA të thotë se kjo duhet të ndodhë sepse është aleati më i madh dhe më i fortë i NATO-s,” tha Osmani.
Ajo theksoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në përputhje të plotë me presidentin amerikan, dhe se së bashku mund të bindin shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Është shumë në sinkron me presidentin e SHBA-së dhe nëse kjo dyshe do që kjo të ndodhë ata mund t’i bindin pesë shtetet mosnjohëse,” shtoi Osmani.
Presidentja e Kosovës përmendi se përpjekjet më të mëdha do të duheshin me shtetet si Spanja, Rumania dhe Sllovakia, ndërsa për Greqinë tha se ajo nuk ka qenë ndonjëherë penguese për Kosovën.
Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i nevojshëm, jo vetëm për arsye strategjike, por edhe për përfitime ekonomike.
“Ju do ta keni një anëtar tjetër që kontribuon. Një anëtar që menjëherë do të rrisë [shpenzimet për mbrojtje] në 5% [të GDP-së]. Dhe kjo mendoj që është në interes të të gjitha shteteve,” tha Osmani.






