Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se ishte e bindur se do të siguronte votat e nevojshme për t’u zgjedhur presidente, nëse do të ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti si kandidate për këtë post.
Sipas Osmanit, gjatë asaj kohe kishte zhvilluar kontakte dhe diskutime me deputetë të opozitës dhe të partive të komuniteteve joshumicë, duke vlerësuar se votat për zgjedhjen e saj do të siguroheshin. Përfshirë këtu edhe LDK’në.
“Sa më shumë që unë punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtet do të jenë aty – ju e dini, e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK-së që nuk ka pasur qëndrim refuzues në raport me emrin tim. Kur u qartësua që ka shanse që unë të zgjidhem, nga kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim i ri, që ishte se Grupi Parlamentar i LVV-së dhe ai personalisht nuk e përkrahin kandidaturën time”, ka thënë Osmani.
Ajo shtoi se nuk është e lidhur me pozitën e presidentes dhe se, sipas saj, zhvillimet e atëhershme mund të kenë qenë në dëm të interesit të shtetit.
“Sikur unë të propozohem si kandidatja e vetme e LVV-së dhe të kishim një kandidat tjetër formal, jam e bindur që sot do ta kishim presidente dhe Qeverinë Kurti”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për gazetarin Çim Peka.









