Mbi 300 fëmijë shqiptarë nga Lugina e Preshevës do të marrin pjesë nga data 24 deri më 28 korrik në një turne të posaçëm futbolli, organizuar me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit Armand Duka.
Organizatori lokal, Kushtrim Maliqi, e cilëson këtë si ngjarjen më të madhe sportive që ka ndodhur në Preshevë në 25 vitet e fundit.
Në një intervistë ekskluzive për Dosja.al, Maliqi flet nga Presheva për përgatitjet në terren, rëndësinë e këtij turneu për komunitetin shqiptar dhe mbështetjen e madhe të presidentit Duka dhe FSHF-së për organizimin e të gjithë turneut.
Si lindi ideja për organizimin e këtij turneu futbolli për fëmijët në Luginën e Preshevës?
Ideja lindi nga dëshira për t’u ofruar fëmijëve shqiptarë në Preshevë dhe Bujanoc një mundësi të veçantë për të luajtur futboll në kushte të organizuara. Ishte e rëndësishme për ne që t’i përfshinim ata në një aktivitet që jo vetëm ofron kënaqësi dhe argëtim, por edhe i afron me njëri-tjetrin përmes sportit. Por, për ne ishte e pamundur ta organizonim të vetëm dhe kontaktuam Federatën Shqiptare të Futbollit dhe mikun tim, presidentin Armand Duka, i cili tregoi menjëherë gatishmërinë e tij për të na përkrahur me të gjitha nevojat për të organizuar një turne kaq të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Është një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që ndodh në 25 vitet e fundit në Luginën e Preshevës, sidomos në qytetin e Preshevës. Mbështetja e Federatës Shqiptare të Futbollit për organizimin e këtij turneu do të mbetet gjatë në memorien e fëmijëve që do të marrin pjesë, deri kur ata të rriten dhe të marrin drejtimin e tyre në jetë.
Ka qenë e pamundur për ta organizuar këtë turne pa mbështetjen e zotit Duka. E kujtoj kur e kam kontaktuar herën e parë personalisht dhe çdo gjë ma ka bërë tepër të thjeshtë, diçka që unë e kisha menduar shumë të vështirë. Më tha menjëherë: “E ke në dispozicion të gjithë stafin e Federatës për ta organizuar”. Pas disa takimeve në Tiranë, kur e kam njohur nga afër dinamikën e punës së Federatës Shqiptare të Futbollit, kam kuptuar se është në nivelin e federatave ndërkombëtare. Stafi i FSHF-së ka treguar një profesionalizëm të madh dhe gjithçka ka qenë e jashtëzakonshme.
Sa i rëndësishëm është ky aktivitet për komunitetin shqiptar në Preshevë dhe Bujanoc?
Është tejet i rëndësishëm. Ky turne është më shumë se një garë sportive, është një ngjarje që bashkon, që i bën fëmijët të ndihen të vlerësuar dhe të përfshirë. Mbi 300 fëmijë shqiptarë do të marrin pjesë, nga mosha 7-13 vjeç, çka tregon ndikimin e gjerë që kjo nismë ka tek familjet dhe vetë komuniteti. Të hënën do të zhvillohen finalet e turneut dhe do të kemi kënaqësinë të kemi të pranishëm presidentin Armand Duka.
Prindërit dhe fëmijët janë të entuziazmuar. Shumica e fëmijëve u kanë kërkuar prindërve që të shtyjnë pushimet verore vetëm për të marrë pjesë në këtë turne, dhe çdo ditë na pyesin për detajet. Në fillim nuk besonin, por tani është realitet dhe mezi po e presin.

Cili ka qenë roli i Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë turne? A mund të na tregoni konkretisht për mbështetjen e dhënë?
FSHF ka pasur një rol thelbësor në çdo aspekt të këtij turneu. Në radhë të parë, duhet theksuar roli personal i presidentit Armand Duka, një mik i vërtetë i shqiptarëve kudo në trojet tona, i cili është gjithashtu Zëvendëspresident i UEFA-s. Ai u tregua menjëherë i gatshëm për ta mbështetur këtë nismë, duke na dhënë mbështetje të pakushtëzuar dhe vendosur në dispozicion të gjithë strukturën e FSHF-së.
Federata ka dhuruar setet e uniformave, topa, pajisje stërvitore, medalje dhe kupa, ndërkohë që ka ofruar edhe mbështetje financiare për të mbuluar të gjitha kostot e organizimit. Mbështetja ka qenë e plotë dhe e padiskutueshme, si në aspektin organizativ, logjistik, ashtu edhe financiar, duke bërë që prindërit dhe fëmijët të mos shqetësohen për asgjë. Atyre u mbetet vetëm të luajnë futboll, sepse çdo gjë tjetër e ka marrë përsipër Federata.

A ishit në gjendje të realizonit një aktivitet të këtij niveli pa ndihmën dhe angazhimin e FSHF-së?
Jo, do të ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Ky është një turne që kërkon organizim, mjete, logjistikë dhe mbështetje financiare. FSHF jo vetëm që i dha të gjitha këto, por edhe e ngriti nivelin e eventit përmes përvojës së saj. Pa këtë ndihmë, nuk do të kishim arritur as afër këtij standardi. Mënyra si funksionon kjo Federatë është shembull për të gjithë.
Si është pritur kjo nismë nga komuniteti dhe prindërit e fëmijëve pjesëmarrës?
Ka qenë një reagim shumë i ngrohtë dhe pozitiv. Prindërit janë të emocionuar dhe mirënjohës, ndërsa fëmijët mezi e presin turneun. Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që marrin pjesë në një aktivitet të tillë. Ka një ndjenjë të fortë përkatësie dhe vlerësimi, dhe ky është rezultati më i bukur që mund të sjellë sporti. Dua të falënderoj stafin e Federatës Shqiptare të Futbollit për të gjithë suportin e dhënë në organizimin e turneut dhe veçanërisht, Presidentin Armand Duka, për të gjithë mbështetjen e madhe të dhënë.






