- Shkruar nga Fadil Lepaja
Ibri nuk është ndonjë pengesë natyrore e pakapërcyeshme. Edhe civilët mund ta kalojnë këmbë, me këpucët në dorë. Ushtarët dhe policët e stërvitur e kalojnë edhe pa u lagur. Por mbi këtë lum, një urë e vetme ka mbartur për dekada barrën e ndarjes, tensionit dhe simbolikës politike të një qyteti të ndarë në dysh.
Për politikën serbe, ura kryesore e Mitrovicës nuk është thjesht çelik e beton, është kufiri i pashpallur i Serbisë. Edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë pranuar një zgjatim të butë të sovranitetit në veri, duke shmangur përplasjen me Beogradin. Serbia ka keqpërdorur këtë kujdes për paqen, duke imponuar idenë se “Serbia nuk largohet nga veriu pa luftë”. Kështu, ajo mbajti në këmbë një sistem paralel institucional, që pranoi të zëvendësohej vetëm me “komunat serbe”, për të kulmuar me idenë e një “asociacioni” me ambicie shtetësie. Ndërkohë, Kushtetuta e Serbisë ende e përfshin Kosovën si pjesë të saj integrale.
Në këtë kontekst, projektet e tipit “Ballkani i Hapur” dhe idetë për lëvizje të lirë pa njohje reciproke të Kosovës nuk ishin gjë tjetër veçse tentativë për të bërë fakt të kryer një gjendje ku Serbia mban institucionet në veri, ndërsa Kosova mbetet një lloj autonomie e padukshme për botën dhe e pashqetësuese për ata që nuk duan ta shohin. Vetëm lufta në Ukrainë dhe njëfarë këndelleje (sado të ngadaltë) nga BE, e shkatërruan këtë projekt cinik që anashkalonte ekzistencën e Kosovës si shtet.
Për Serbinë, kufiri me Shqipërinë është Morina. Për Shqipërinë, kufiri me Serbinë as që përmendet. Ndërkohë, Ura mbi Ibër është imponuar si kufi faktik shqiptaro-serb, me një konsensus ndërkombëtar të heshtur që kjo urë nuk mund të menaxhohet nga shqiptarët.
Deri në vjeshtë, Qeveria e Kosovës synon të ndërtojë dy ura të reja në të dy anët e Urës së Ibrit në Mitrovicë – e cila vazhdon të jetë e mbyllur dhe e menaxhuar nga ndërkombëtarët. Edhe pse ky projekt është parë fillimisht si një plan propagandistik, në fakt ai shënon një ndryshim të qartë strategjik. Në pamje të parë nuk shkelet asnjë marrëveshje ndërkombëtare, por në thelb sfidohet simbolika e urës ekzistuese, duke e anashkaluar atë.
Kjo iniciativë synon të krijojë një baraspeshë të re, që pason doktrinën e reciprocitetit: këtë herë, jo vetëm për dokumentet dhe masat, por edhe për komunitetet. Në këtë frymë, mund të përfshihen edhe komunat shqiptare në Serbi si pjesë e një pakete për zgjidhje të qëndrueshme ndëretnike dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, përmendet edhe Sanxhaku, një zonë me shumicë myslimane, ku Turqia, një nga vendet me rol aktiv në KFOR, ka interes të veçantë. Ndërtimi i dy urave të reja, edhe pse projekt modest, për nga ideja ngjan me “Kanalin e Stambollit”, që Turqia e propozoi si alternativë ndaj ngushticës së Bosforit, për të shmangur kufizimet që burojnë nga traktatet ndërkombëtare pa i shkelur formalisht ato.
Në Mitrovicë, ndryshe nga Bosfori, Golan apo Koreja e demilitarizuar, kufizimi nuk është ligjor, por politik. Dhe aty ku mungon ndalimi, lind mundësia për zgjidhje kreative. Për Kosovën, kjo është një mundësi për të ndryshuar rrëfimin. Sepse në Mitrovicë, ura nuk ka qenë kurrë thjesht një strukturë, ka qenë simbol.
Ndërtimi i dy urave të reja nuk është thjesht ndërtesë betoni. Është një narrativë e re. Çdo pikë ndarjeje mund të bëhet një pikë bashkimi. Nëse këto ura funksionalizohen, ato mund të zhbëjnë de facto ndarjen brenda Kosovës, duke i detyruar serbët lokalë të zgjedhin: integrim ose izolim. Dhe bashkë me ta, do të përballet edhe Beogradi: me Evropën apo me Rusinë?
Në sfond, një lëvizje qytetare e studentore në Serbi po shton presionin ndaj regjimit Vuçiç. Nëse BE përpiqet ta ndalë këtë projekt, atëherë do të jetë e qartë: në Urën e Ibrit nuk po mbrohet paqja, por po ruhet një kufi imagjinar që mban peng Ballkanin.
Më 4 Korrik, Dita e Pavarësisë së SHBA-së, Kosova festoi me fishekzjarrë sikur të ishte pjesë integrale e Amerikës. Ishte një përkujtues simbolik i një të vërtete: pa SHBA, asnjë çështje në Ballkan nuk merr zgjidhje përfundimtare.
Ndaj pyetja kyçe që lind nga ky zhvillim është: një apo tri ura, zoti President?






