Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës, duke thënë se kjo ndërhyn drejtpërdrejt në tregun e lirë dhe cenon parimet e konkurrencës së drejtë.
Përmes një komunikate për media, OEK ka theksuar se çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, duke përfshirë luhatjet e çmimeve në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike.
Sipas Odës, masa të tilla administrative nuk pasqyrojnë këto realitete dhe mund të ndikojnë negativisht në furnizim dhe konkurrencë.
“Vendosja e kufijve të çmimeve për karburantet nuk është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe rrezikon të çrregullojë funksionimin normal të tregut, duke kufizuar lirinë e operatorëve ekonomikë,” thuhet në komunikatën e OEK.
OEK i ka bërë thirrje Ministrisë që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë mekanizma alternative për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çmime.








