Ajatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, ka ndërmarrë hapa urgjentë për të garantuar mbijetesën e regjimit të tij në rast se ai eliminohet, raportoi The New York Times, duke cituar burime të brendshme nga Teherani.
Sipas raportit, Khamenei është i strehuar në një bunker për shkak të frikës për jetën e tij pas një vale sulmesh të drejtuara nga Izraeli që, vetëm në tetë ditë, kanë eliminuar më shumë se 25 figura kyçe politike dhe ushtarake të regjimit.
Ai ka përzgjedhur një sërë zëvendësuesish në zinxhirin ushtarak të komandës, si dhe tre klerikë të nivelit të lartë si kandidatë të mundshëm për ta pasuar në postin e liderit suprem.
“Çështja kryesore është shpëtimi i Republikës Islamike”, tha për NYT eksperti i çështjeve iraniane, Vali Nasr, duke theksuar se veprimet e Khameneit janë “të kalkuluara dhe pragmatike”.
Ndërkohë, djali i tij Mojtaba – shpesh i përmendur si pasardhës i mundshëm – nuk figuron mes kandidatëve të përzgjedhur.
Sipas Kushtetutës iraniane, lideri suprem zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ prej 88 anëtarësh fetarë të zgjedhur nga populli çdo tetë vjet. Udhëheqësi duhet të jetë teolog dhe jurist islam, i devotshëm, me guxim, vizion dhe njohje popullore.








