spot_img
Monday, December 8, 2025
spot_img

“Nuk i dorëzohemi policisë, vetëm Allahut”, zbardhet dëshmia e vëllait të Ukës: Më telefonoi dhe më tha të lutem për të

“…Nuk i dorëzohemi policisë të gjallë, i dorëzohemi vetëm Allahut të vdekur…Allahu Ekber…”, këto janë fjalët që Julian Cumraku i ka pohuar punonjësve të policisë së Pukës, sapo ka konstatuar se banesa e tyre në fshatin Orosh ishte rrethuar nga forca të shumta policie.

Pavarësisht bindjes së tyre për të mos u dorëzuar dhe luftuar me forcat RENEA, mbërritja në vendngjarje e Besnik Ukës, vëllait të Erzen Ukës, ka sjellë zbutjen e reagimit të tyre, duke çuar në daljen nga banesa të paarmatosur dhe dorëzuar policisë.

Mësohet se është bërë përpjekje, për të bërë intervistimin e personave nën hetim Erzen Uka dhe Julian Cumraku, por ata kanë refuzuar për t’u përgjigjur dhe për të firmosur.

Në këto kushte, nuk është përpiluar proces-verbal për pyetjen e personave ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Në pyetje është marrë vetëm vëllai i Erzen Ukës, Besnik Uka, i cili ka deklaruar para policisë se:

“…është telefonuar nga i vëllai Erzeni, duke i thënë se janë rrethuar nga policia dhe të lutej për të. Më pas Besniku ka kontaktuar policinë duke pranuar të bëhet pjesë e negocimit për t’u dorëzuar. Pasi ka shkuar në vendngjarje ai ka bërë të mundur që pas disa minutash negocim të bindë për t’u dorëzuar personat…”.

Ajo që nisi si një operacion i zakonshëm i krehjes së zonës me qëllim zbulimin e kultivimit të lëndëve narkotike, përfundoi në rrethimin e një banese të braktisur në fshatin Orosh, ku brenda saj ishin dy persona me prirje të theksuara të Islamit Radikal, Erzen Uka dhe Julian Cumraku.

Njësia e antiterrorit i ka evidentuar edhe më parë të dy personat si individë që bëjnë propagandë për “ISIS” dhe ekspozojnë simbolet e tij, por vetëm njërin prej tyre Erzen Ukën e ka arrestuar dhe dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Nxitjes, urrejtjes dhe konfliktit fetar”.

Aktualisht ndaj dy personave të mësipërm është regjistruar në prokurorinë e Shkodrës dosja penale me Nr.1837, për akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Sipas dosjes hetimore rezultoi e provuar se:

“…në 24 nëntor 2025, rreth orës 09:00, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në zbatim të planit të masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit në ambiente të hapura dhe ambienteve të mbyllura, në vendin e quajtur fshati Orosh, Njësia Administrative “Qafë-Mali”, është konstatuar një person, fillimisht i paidentifikuar, i cili është larguar sapo ka parë forcat e policisë, duke hyrë në një banesë të braktisur, pronë e Pjetër Cumraku…”.

Nga ana e punonjësve të policisë i është bërë thirrje që të dalë nga banesa, por personi në fjalë ka kundërshtuar duke kërcënuar punonjësit e policisë dhe duke deklaruar se:

“…Nuk i dorëzohem policisë i gjallë, i dorëzohem vetëm Allahut i vdekur…” dhe ka vijuar duke lëshuar thirrjet: “…Allahu Ekber…”.

Më tej personi në fjalë është prezantuar si Adem Cumraku dhe ka vijuar me kërcënime ndaj punonjësve të policisë.

Nga ana e punonjësve të policisë është mbajtur në mbikëqyrje banesa dhe është kërkuar mbështetje nga forcat speciale “Renea”, duke marrë në konsideratë rrezikshmërinë që paraqiste personi në fjalë dhe gjendjen e tensionuar të tij. Gjatë negociatave është arritur të identifikohet personi që ndodhej brenda banesës si shtetasi Juljan Cumraku.

Pasi kanë mbërritur forcat speciale “Renea” në vendngjarje dhe janë vendosur në pozicione, kanë rrethuar menjëherë objektin ku ndodheshin personat e ngujuar dhe u kanë bërë thirrje personave me megafon.

“…Policia e Shtetit…”, “…Forcat RENEA…”, “…Duhet të dilni dhe të dorëzoheni…”.

Por menjëherë pas këtyre fjalëve nga brenda banesës janë lëshuar disa breshëri automatiku, duke bërë që policia të pozicionohet për sulm.

Ndërkohë gjatë negociatave për t’u dorëzuar është identifikuar personi tjetër, Erzen Uka. Negociatat kanë vijuar deri rreth orës 20:00, moment kur personat e lartpërmendur pas negociatave të zhvilluara edhe me familjarë të tyre të thirrur për t’i bindur që të dorëzohen, kanë pranuar të dorëzohen duke dalë nga banesa.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, e cila ndodhej në ambientet e brendshme të banesës së braktisur të Pjetër Cumrakut, konkretisht në dhomën që ndodhej në anën jug-lindore të katit të parë, në faqen e murit të anës lindore, u konstatuan të varur në mur pesë armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe në qendër të tyre ishte vendosur një flamur me ngjyrë të zezë, me shkronja Arabe, si ai i përdorur nga Organizata Terroriste ISIS.

Konkretisht gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale sendet si më poshtë:

-Një armë zjarri automatik model 56, së bashku me tre krëhëra me 88 (tetëdhjetë e tetë) fishekë, e cila u gjet e varur në murin e anës lindore të dhomës së ndenjës së katit të parë të banesës.

-Një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “ZASTAVA CAL6.35”, me një krëhër me 4 fishekë.

-Një armë zjarri automatik model 56, së bashku me tre krëhëra me 89 copë fishekë, e cila u gjet e varur në murin e anës lindore të dhomës së ndenjës së katit të parë të banesës.

-Një armë zjarri automatik (model Sharz),

-Një flamur me ngjyre te zezë dhe nderoj Arabe, si ai i Organizatës Terroriste Shteti Islamik (ISIS).

Ndërkohë u gjetën dhe 5 çanta sportive brenda të cilave u gjetën rroba dhe libra fetarë të titulluar:

“44 mënyra për ta përkrahur xhihadin”,

“Disa çështje me rëndësi”,

“Katër rregullat”,

“Dhjetë anuluesit e islamit”,

“Rruga e Shpëtimit”,

“Kurani”,

“Mburoja e Muslimanit”. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit