CEO i Meta-s Mark Zuckerberg tha se nuk kishte ide se si të përgjigjej ndaj një pyetjeje të Donald Trump gjatë një darke të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
ADVERTISING
Në një takim të enjten, u mblodhën disa prej figurave më të rëndësishme të teknologjisë, përfshirë Tim Cook, Bill Gates, Sergey Brin, Sundar Pichai dhe Sam Altman.
Trump e pyeti Zuckerberg se sa planifikonte të investonte në SHBA deri në vitin 2028 dhe CEO i Meta u përgjigj me pasiguri: “Oh Zot, unë, mendoj se ndoshta do të jetë diçka si, nuk e di, të paktën 600 miliardë dollarë deri në 28, në SHBA, po”.
Trump tha se shuma është e madhe dhe Zuckerberg pranoi: “Po, po, është e konsiderueshme”.
Më vonë gjatë darkës, Zuckerberg kërkoi falje dhe tha se nuk ishte përgatitur për pyetjen, duke thënë: “Nuk isha i sigurt për numrin që donit të përdornit”. Trump qeshi dhe i tha Melania-s se Zuckerberg nuk ishte i përgatitur.
Momente të tjera të sikletshme për Zuckerberg ishte edhe një përgjigje e papërgatitur ndaj një pyetjeje mbi ligjin për lirinë e shprehjes në Mbretërinë e Bashkuar, ku CEO pranoi se “nuk po i kushtoja vëmendje”.
Në të njëjtën darkë, liderët e tjerë të teknologjisë zbuluan planet e tyre të investimeve në SHBA: Google planifikon të investojë 250 miliardë dollarë, ndërsa Apple 600 miliardë dollarë. Cook falenderoi Trump për krijimin e kushteve për investime dhe prodhim kyç në SHBA, duke thënë se: “Dua t’ju falenderoj që mund të bëjmë një investim të madh në Shtetet e Bashkuara dhe të kemi prodhim kyç këtu. Mendoj se kjo tregon shumë për udhëheqjen dhe fokusin tuaj mbi inovacionin”.
Takimi ishte një përmbledhje e elitës së Silikon Valley, me 13 miliarderë pjesëmarrës, i cili erdhi pas një samiti të organizuar nga zonja e parë mbi inteligjencën artificiale në edukim. Fillimisht, darka duhej të mbahej në Rose Garden, por u zhvendos në Sallën e Darkës për shkak të shiut.
Trump e filloi darkën duke lavdëruar të pranishmit dhe duke e quajtur grupin: “me IQ shumë të lartë”, ndërsa liderët e teknologjisë shfrytëzuan mundësinë për të lavdëruar. Edhe kritikët e mëparshëm si Bill Gates dhe Sam Altman falenderuan presidentin, me Altman që tha: “Mendoj se do të na vendosë për një periudhë të gjatë në krye të botës dhe kjo nuk do të ndodhte pa udhëheqjen tuaj”.
Drejtuesi i mëparshëm i Departamentit të Efikasitetit Qeveritar, Elon Musk, i njohur si “First Buddy”, nuk mori pjesë në takim.










