Një ngjarje tronditëse ka trullosur opinionin publik në Australi, pasi Erin Patterson, një grua nga shteti i Victoria-s, është shpallur fajtore për vrasjen e tre anëtarëve të familjes së ish-bashkëshortit të saj dhe për tentativë vrasjeje ndaj një të katërti, pas një dreke vdekjeprurëse të përgatitur në korrik të vitit 2023.
Më 29 korrik 2023, Patterson kishte ftuar në shtëpinë e saj ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, Don dhe Gail Patterson, si dhe motrën e Gail, Heather Wilkinson, bashkë me bashkëshortin e saj Ian. Dreka ishte një version i ‘Beef Wellington’ – mish viçi i mbështjellë me kërpudha dhe brumë. Por në vend të kërpudhave të zakonshme, Patterson përdori kërpudha të mbledhura në natyrë, të llojit ‘Amanita phalloides’, një nga më vdekjeprurëset në botë.
Brenda disa orësh nga vakti, të katërt filluan të ndjenin simptoma të rënda helmimi. Brenda pak ditësh, Don, Gail dhe Heather vdiqën. Ian Wilkinson mbijetoi pas një trajtimi intensiv që zgjati afro dy muaj.
Prokuroria zbardhi një skenar tronditës të planifikimit të krimit. Kërpudhat ishin tharë në një pajisje të veçantë, të cilën më pas Patterson e kishte hedhur në fshehtësi në një pikë riciklimi – sipas hetuesve, për të zhdukur provat. Ajo u shtir si e sëmurë gjatë gjithë ngjarjes, por gjurmët e veprimit të qëllimshëm dolën në pah gjatë procesit gjyqësor.
Në seancë u paraqitën edhe mesazhe nga Facebook, ku Patterson shprehte urrejtje për familjen e ish-bashkëshortit. Në një prej tyre shkruhej: “Jam lodhur nga kjo familje, nuk dua të kem më asgjë me ta.”
Pas një procesi që zgjati 10 javë dhe gjashte ditë diskutimesh, juria prej 12 vetash e shpalli njëzëri fajtore për vrasje me dashje dhe tentativë për vrasje.
Dënimi i saj do të shpallet në një seancë të ardhshme, ndërsa rasti ka hapur debat të gjerë për sigurinë ushqimore, krimet brenda familjes dhe rrezikun e kërpudhave të egra në gatim.







