Njohja e Kosovës nga Bahamas, si shteti i 121‑të në botë, ka shkaktuar reagime të ashpra dhe nervoze në Beograd, duke nxjerrë edhe një herë në pah panikun diplomatik të Serbisë sa herë që lista e njohjeve të Prishtinës zgjerohet.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë deklaroi se “dënon ashpër” vendimin e autoriteteve të Bahamase, duke e cilësuar atë si një “precedent të rrezikshëm” që, sipas Beogradit, minon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial të shteteve anëtare të OKB‑së.
Në deklaratën zyrtare, diplomacia serbe shkon edhe më tej, duke paralajmëruar për “destabilizim, anarshi dhe rrënim të sistemit ndërkombëtar”, duke ia faturuar këto pasoja njohjes së pavarësisë së Kosovës – një narrativë e përsëritur prej vitesh nga Beogradi, por gjithnjë e më pak bindëse në arenën ndërkombëtare.
Serbia e cilëson vendimin e Bahamaseve si “veçanërisht jokonstruktiv”, duke pretenduar se ai dëmton dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Në fakt, reagimi tregon se çdo njohje e re e Kosovës shihet nga Serbia jo si realitet diplomatik, por si goditje direkte ndaj strategjisë së saj bllokuese.
Në Prishtinë, ndërkohë, njohja nga Bahamas shihet si një tjetër konfirmim se procesi i njohjeve nuk është ndalur, pavarësisht lobimit agresiv të Serbisë dhe aleatëve të saj. Ndërsa për Beogradin, çdo shtet i ri që njeh Kosovën është një tjetër provë se beteja diplomatike po humbet dhe reagimet gjithnjë e më dramatike janë shenja më e qartë e kësaj humbjeje.








