Demenca lidhet shpesh me të moshuarit, por ajo nuk buron nga hiçi. Disa faktorë rreziku mund të fillojnë që para se të lindim, ndërsa të tjerë shfaqen ndërsa përparojmë nga fëmijëria drejt moshës madhore. Sipas studimeve, kjo mund të jetë edhe koha më e mirë për të filluar ndërhyrjen.
Studimet e mëparshme, kanë identifikuar një sërë faktorësh rreziku të modifikueshëm për demencën, por modifikimi i tyre pasi të ketë filluar procesi neurodegjenerues nuk ndihmon shumë. Kjo i ka nxitur studiuesit të kërkojnë mundësinë e reagimit në momentet më të hershme të jetës, të cilat një ditë mund të bëjnë diferencën.
Një studim i kryer në vitin 2023 nga studiues në Suedi dhe Republikën Çeke, identifikoi një numër faktorësh të lindjes të lidhur me një rrezik pak më të lartë të demencës në jetën e mëvonshme.
Ndërsa disa, siç është ndarja e mitrës me një binjak, janë përtej kontrollit të askujt, faktorë të tjerë – siç është një hapësirë më e shkurtër kohore midis 2 lindjeve dhe mbetja shtatzënë e gruas mbi moshën 35 vjeç – mund të ndikohen nga vendimmarrja prindërore.
Një studim tjetër i publikuar në fund të vitit 2024, shqyrtoi faktorët e rrezikut për të rriturit më të rinj të moshës 18-39 vjeç. Një ekip i udhëhequr nga Instituti Global i Shëndetit të Trurit (GBHI) në Irlandë, mblodhi një grup ekspertësh nga 15 vende të botës për të ndihmuar në zhvillimin e një plani të përjetshëm për përmirësimin e shëndetit të trurit.
“Mosha e re, përfaqëson një hapësirë kohore kyçe për ndërhyrje, e cila mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e demencës më vonë në jetë”– thotë Françeska Farina, neuroshkencëtare në GBHI.
“Për të siguruar rezultate më të shëndetshme në tru, të rinjtë duhet të përfshihen si partnerë kryesorë në përpjekjet e kërkimit, arsimit dhe hartimit të politikave”– mendon ajo.
Nga faktorët e rrezikut të identifikuar nga studiuesit, disa lidhen me stilin e jetës, duke përfshirë pirjen e tepërt të alkoolit, duhanit, mungesën e aktivitetit fizik dhe izolimin social.
Të tjerët janë mjedisorë, siç janë ekspozimi ndaj ndotjes, dëmtimet traumatike të trurit, humbja e dëgjimit ose shikimit apo një nivel i ulët arsimimi.
Dhe faktorët e tjerë si mbipesha, diabeti, hipertensioni, kolesteroli LDL dhe depresioni, janë probleme shëndetësore që mund të lindin nga zgjedhjet e stilit të jetës. Tek e fundit, studiuesit sugjerojnë se shumë nga faktorët e rrezikut janë hapa që mund të ndërmarrim për të ndihmuar në uljen e rrezikut të zhvillimit të demencës, e cila mund të fillojë të rritet shumë më herët në jetën tonë se sa e kuptojnë zakonisht shumë njerëz.
“A mund të shtrihen rrënjët e demencës që në fëmijëri apo që kur jemi nde foshnje? Gjithnjë e më shumë prova sugjerojnë se po, dhe ekspozimet ndaj faktorëve të rrezikut në dekadën e parë të jetës (ose edhe gjatë kohës që janë në barkun e nënës), mund të kenë ndikim gjatë gjithë jetës në lidhje me rrezikun e demencës”, shpjegoi ekipi në një artikull në The Conversation.
“Shumica e hulumtimeve mbi demencën, përqendrohen mbi ndryshimet që lidhen me rënien e aftësive njohëse të lidhura me moshën në jetën e mëvonshme. Por ka gjithnjë e më shumë prova, se shumë nga ndryshimet në strukturën dhe funksionin e trurit që lidhen me demencën tek të rriturit e moshuar, mund të kenë ekzistuar të paktën pjesërisht që nga fëmijëria”- theksojnë ata.
Sipas ekipit, ka shumë shembuj të kësaj.
“Në studimet afatgjata, ku aftësia njohëse e njerëzve është monitoruar gjatë gjithë jetës së tyre, një nga faktorët më të rëndësishëm që shpjegon aftësinë njohëse të dikujt në moshën 70 vjeç është aftësia e tyre njohëse kur ishin 11 vjeç”- sqaruan më tej autorët e studimit.
Pra, të rriturit më të moshuar dhe me aftësi njohëse më të dobëta, i kanë pasur shpesh këto aftësi më të ulëta që nga fëmijëria, në vend se ndryshimet të vijnë vetëm për shkak të një rënieje më të shpejtë të tyre në një moshë të shtyrë.
Një sinjal tjetër i mundshëm, është prova e dëmtimeve ose anomalive të trurit në jetën e mëvonshme që mund të lidhen me incidente ose sjellje në rini. “Modele të ngjashme, vërehen edhe kur kërkohen prova të dëmtimit të lidhur me demencën në skanimet e trurit, me disa ndryshime që duket se lidhen më ngushtë me ekspozimet ndaj faktorëve të rrezikut në jetën e hershme se sa me stilet aktuale të jetesës jo të shëndetshme.
“Nëse analizohen së bashku, mund ta arrijmë në përfundimin se ndoshta ka ardhur koha që parandalimi i demencës të konsiderohet si një qëllim i përjetshëm, në vend që të jetë një fokus për moshat e thyera”- përfunduan autorët e studimit.
Në studimin e tyre të vitit 2024, disa nga faktorët e rrezikut të identifikuar mund të jetë më të dukshëm. Për shembull, pirja e alkoolit dhe duhanit, njihen si të dëmshme për shëndetin në përgjithësi, dhe pësimi i një dëmtimi në tru, është një rrezik i drejtpërdrejtë për demencë të mëvonshme.
Por të tjerët ndjekin një rrugë më me zigzage. Për shembull, humbja e dëgjimit ose e shikimit, është gjithashtu e lidhur me demencën, ndoshta për shkak të degjenerimit të trurit ose izolimit social. Njohja e rreziqeve është një gjë, por zbutja e tyre është diçka e ndërlikuar.
Studiuesit mendojnë se ky problem mund të adresohet më së miri duke identifikuar faktorët në nivel individual, komunitar dhe kombëtar. Ndihma ndaj njerëzve në nivel individual, përfshin rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit të trurit dhe rreziqet, thotë ekipi.
Kjo mund të bëhet përmes fushatave të shëndetit publik dhe edukimit në shkolla, dhe të financohet përmes taksimit të substancave që ndikojnë negativisht në shëndetin e trurit, siç janë alkooli ose cigaret.






