Plot 10 mijë e 500 euro të taksapaguesve kosovarë përfunduan në xhepat e Vudi Xhymshitit, të ashtuquajturit gazetar të afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, në vitin 2023.
Autori i platformës pak të njohur online ‘Frontliner’, i cili së fundmi është bërë protagonist i një audio-incizimi në të cilin hedh akuza të rënda ndaj Ramush Haradinajt për implikim në një plan për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, ishte financuar nga shteti për një projekt kulturor.
Projekti me të cilin ishte financuar Xhymshiti lidhet me një thirrje të shpallur tri vite më parë nga Ministria e Kulturës për “Art dhe Trashëgimi Kulturore 2023”.
“ETNOFOTO”, është titulli i projektit me të cilin i përfitoi fondet ai.

Siç kishte raportuar portali Nacionale në vitin 2024, rreth tetë muaj pas financimit të Xhymshitit nga paratë e taksapaguesve kosovarë, asnjë punë nuk ishte evidentuar nga projekti.
Në uebsajtin e tij “ETNOFOTO”, ai kishte vendosur vegëzat që supozohet të dërgojnë përdoruesin te ky projekt madhor i tij, por krejt çka ishte gjetur aty ishin dy profile të “etnofoto”, një në “X” dhe një në “Instagram”. As në uebsajtin e tij në kategorinë e projekteve nuk ishte gjetur gjë përveç dy njoftimeve për po atë, por pa fotografi.
Paparaci publikoi të mërkurën një audio-incizim në të cilin Xhymshiti e implikon Ramush Haradinajn në një plan të dyshuar për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj dyshohet se ishte përfshirë në atentatin e dyshuar të planifikuar ndaj Kurtit në vitin 2021, akuzon pa asnjë provë Xhymshiti.
“Plus, Ramush Haradinaj që ta dini ju, nëse keni lexuar në dosjet tona hulumtuese, ka qenë i përfshirë në pagesat e Prek Kodrës për atentat për ta vrarë kryeministrin Albin Kurti”, thotë autori i platformës pak të njohur digjitale ‘Frontliner’.
Prek Kodra, shtetas i Shqipërisë për të cilin Xhymshiti pretendon se ka pranuar pagesa nga Haradinaj, ishte arrestuar në vitin 2022 nën dyshimin për planifikimin e atentateve ndaj disa figurave të rëndësishme politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin Kurti e deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Arrestimi i tij kishte ndodhur sipas një raporti që e posedonte ish-drejtori i Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano, i cili u publikua në vitin 2022 pas sulmit kibernetik iranian ndaj shtetit shqiptar.
Audio-incizimi e tregon Vudi Xhymshitin, fotoreporterin dhe propagandistin e afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke trilluar histori për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe ish-zyrtarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Xhymshiti tregon një ngjarje lidhur me një paraqitje të Haradinajt me Escobarin, ish të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, sipas audio-incizimit të publikuar në platformat sociale së fundmi.
Nuk dihet kur është incizuar ky material.
Audio-incizimi e tregon Xhymshitin, që prej kohësh është vënë në shërbim gati nënshtrues ndaj propagandës pro pushtetit në kanalet online, duke e portretizuar Haradinajn si “fëmijë” të cilin “Escobari e kishte kapë prej duarsh”.
“Me Escobarin.. e kish kapë kap Ramush Haradinajn për dorë si nje fëmijë i vogël i klasës së parë edhe e kish qit’ në konferencë”, dëgjohet duke thënë Xhymshiti.
“Edhe thojke nëse Kurti nuk pajtohet me maru Asociacionin që e ka nënshkru Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa..”
Hiç më larg se para dy vitesh, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve e kishte demantuar Vudi Xhymshitin për plasimin e një informate të rreme për kinse shkarkimin e Gabriel Escobar nga pozita e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Xhymshiti kishte gënjyer për shkarkimin e Escobarit, duke pretenduar se ai ishte larguar nga pozita për shkak të konfliktit të interesit.









