Përmes një postimi tejet të sinqertë në rrjetet sociale, Kevini ka ndarë me ndjekësit një bilanc mjaft personal të vitit që lamë pas.
Ai ka festuar një përvjetor të rëndësishëm: një vit plotësisht i distancuar nga zakonet e vjetra, përfshirë alkoolin dhe duhanin, duke shënuar kështu një kapitull të ri e të pastër në jetën e tij. Kevini pranoi se ky ishte një hap që dëshironte ta bënte prej vitesh, por stili i jetesës i lidhur me jetën e natës, muzika dhe festat e bënin këtë tranzicion të vështirë.
Sipas tij, vendimi erdhi në momentin kur kuptoi se dëshironte të bëhej versioni më i mirë i vetes. Ai sqaroi se pengesa kryesore drejt qëllimeve të tij ishte pikërisht alkooli jo për shkak të problemeve direkte që i krijonte, por për shkak të energjisë që i merrte dhe pengesës që ndiente në arritjen e ëndrrave të tij. Kevini u shpreh se festat e vazhdueshme pa një arsye të vërtetë kishin filluar të ktheheshin në diçka shkatërruese për të.











