Shkruan: Safet Gërxhaliu
Jo të gjitha shtetet e paguajnë njësoj çmimin e vendimeve të gabuara. Disa mund ta humbin një dekadë dhe prapë të mbeten të rëndësishme. Mund të qeverisen dobët, të hyjnë në kriza të përsëritura, të grumbullojnë borxhe dhe t’i shtyjnë reformat, por megjithatë vazhdojnë të tërheqin kapital. Tregu i tyre është shumë i madh për t’u anashkaluar, industria shumë e shtrirë për t’u dëmtuar nga një vendim i vetëm, ndërsa pesha politike ua siguron një lloj kredie që vetë ekonomia nuk do t’ua jepte.
Madhësia nuk i bën domosdoshmërisht më të mençura. Vetëm ua bën gabimet më pak të menjëhershme dhe pasojat më të lehta për t’u shpërndarë.
Shtetet e vogla nuk e kanë këtë mbrojtje. Ato nuk kanë shtresa të pafundme kapitali, tregje të brendshme që e mbajnë konsumin gjallë pavarësisht qeverisjes, rajone të shumta që e kompensojnë rënien e njëra-tjetrës, e as peshë gjeopolitike që e detyron botën t’i presë.
Një gabim në energji, një politikë e gabuar fiskale, një reformë e bllokuar ose një investim strategjik i humbur nuk mbetet i kufizuar në një sektor. Ai përhapet shpejt, prek bilancet e bizneseve, i ndryshon pritjet, e ngadalëson kreditimin, e ul gatishmërinë për investime dhe, me kalimin e kohës, shndërrohet në gjendje të përgjithshme pasigurie.
Në një shtet të madh, ekonomia mund ta mbajë gjallë politikën e dobët për një kohë të gjatë. Në një shtet të vogël, politika e dobët fillon shpejt ta ndryshojë vetë ekonominë.
Në një vend të vogël, gabimi nuk mbetet kurrë i vogël.
Madhësia duhet kuptuar jo vetëm si burim fuqie, por edhe si aftësi për ta shpërndarë koston e paaftësisë. Një shtet i madh mund ta fshehë për një kohë udhëheqjen mesatare nën peshën e ekonomisë së vet. Një shtet i vogël e nxjerr atë në sipërfaqe pothuajse menjëherë.
Aty ku ekonomia mbështetet në pak shtylla, secila prej tyre bart më shumë peshë. Aty ku tregu është i ngushtë, çdo pengesë prek një pjesë më të madhe të tij. Aty ku kapitali njerëzor është i kufizuar, largimi i disa mijëra profesionistëve nuk është vetëm lëvizje demografike; është humbje e aftësisë për ta krijuar vlerën e së nesërmes.
Në një ekonomi të vogël, edhe një vendim që duket teknik mund të ketë pasoja kombëtare. Një vonesë në licencim mund ta shtyjë një investim. Një pasiguri në furnizimin me energji mund ta bëjë një projekt të paleverdisshëm. Një ndryshim fiskal i paparashikueshëm mund ta shtyjë kapitalin drejt një tregu tjetër. Një reformë e papërfunduar mund ta bindë një brez të tërë se vendi nuk ka një drejtim të qartë.
Prandaj, udhëheqja mesatare në një shtet të vogël nuk është vetëm zhgënjim politik. Ajo është kosto ekonomike që grumbullohet vit pas viti, derisa ajo që fillimisht dukej si dobësi e përkohshme shndërrohet në kufizim të përhershëm.
Kush financon gjithçka, nuk ndërton asgjë
Vendet e vogla nuk mund të prodhojnë gjithçka, prandaj duhet ta dinë se çfarë nuk duhet të prodhojnë. Nuk mund t’i financojnë të gjitha ambiciet, prandaj duhet të vendosin se cilat prej tyre e meritojnë financimin. Nuk mund ta mbajnë çdo sektor gjallë me subvencione, prandaj duhet ta pranojnë se zhvillimi kërkon zgjedhje dhe jo vetëm shpërndarje.
Në ekonomitë e mëdha, gabimet mund të shpërndahen në shumë drejtime. Në ekonomitë e vogla, mungesa e prioriteteve bëhet vetë politika ekonomike: pak para për secilin, pak vëmendje për gjithçka dhe asnjë përqendrim i mjaftueshëm askund.








