Një “lexuese e buzëve” zbulon se çka u tha Donald Trumpi lojtarëve të Spanjës e Argjentinës

Një eksperte profesioniste e leximit të buzëve ka pretenduar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha të njëjtën frazë të gjithë futbollistëve gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve pas finales së Kupës së Botës.

Spanja e zgjati serinë e saj të pamposhtur në 38 ndeshje, më e gjata në historinë e futbollit të kombëtareve, pasi në stadiumin “MetLife” mposhti Argjentinën 1-0 falë golit të Ferran Torres në minutën e 106-të.

Pas përfundimit të finales, Trump mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve së bashku me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, si dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Presidenti amerikan përshëndeti secilin lojtar në skenë duke i shtrënguar dorën. Më pas shkëmbeu disa fjalë me ta, përpara se t’u vendoste medaljen ose t’i prekte lehtë në kraharor.

Por çfarë u tha ai lojtarëve?

Sipas ekspertes së leximit të buzëve, Nicola Hickling, cituar nga “The Express”, Trump u përsëriti të gjithëve të njëjtën frazë:

“Ti je një kampion”, përpara se të shtonte: “Lojtar i jashtëzakonshëm”.

Megjithatë, jo të gjithë futbollistët ia shtrënguan dorën presidentit amerikan.

Sipas pamjeve televizive, mbrojtësi i Argjentinës, Cristian Romero, i cili ishte titullar në finale por u zëvendësua në minutën e 70-të për shkak të një dëmtimi, e injoroi Trumpin.

Romero u pa duke ia shtrënguar dorën Gianni Infantinos dhe Claudia Sheinbaumit, por kaloi pranë Donald Trump pa e përshëndetur.

Një tjetër lojtar që dukej i rezervuar gjatë momentit të përshëndetjes ishte sulmuesi i Spanjës, Borja Iglesias. Ai preku dorën e Trumpit, por e bëri këtë pa e parë fare në sy presidentin amerikan.

Iglesias ka qenë më parë kritik ndaj Trumpit, duke deklaruar se ai “ka vështirësi me vlerat themelore”.

“Ekziston një protokoll dhe një detyrim për ta përmbushur nga mirësjellja, edhe pse ajo që më thotë instinkti im është ndryshe nga ajo që duhet të bëj. Më pëlqejnë njerëzit që luftojnë për përparimin dhe për mbrojtjen e vlerave themelore, ndërsa mendoj se Trump ka vështirësi me këtë”, tha ai.

Ai shtoi me humor, sipas “The Mirror”: “Nuk dua të përfundoj në burg. Shpresoj ta përshëndes në një moment kur të gjithë jemi shumë të lumtur, që gjithçka të kalojë sa më shpejt dhe ta harroj. Nuk mendoj se ky është momenti për të krijuar polemika. Njerëzit e dinë shumë mirë se çfarë mendoj. Do të doja të bëja shumë gjëra, por realiteti është se, edhe pse disa mendojnë se kam fuqi të pakufizuar, nuk kam aq pushtet sa të ndryshoj disa gjëra”.

Pak para fillimit të finales, Iglesias publikoi në Instagram një fotografi të planit të ulëseve të stadiumit “MetLife”, ku shfaqeshin çmimet e biletave, duke e shoqëruar me mbishkrimin në spanjisht: “Una Vergüenza”, që në shqip përkthehet: “Një turp”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit