Me një vizion të ri për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-gjerman, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur sot strukturën e re drejtuese në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur në Düsseldorf.
Besimi i anëtarëve iu dha Zenun Krasniqit, i cili do të prijë Unionin në një periudhë të re zhvillimi dhe zgjerimi të ndikimit të tij në komunitetin e biznesit në Gjermani.
Përbërja e re drejtuese përfshin:
Afrim Osmanaj – Nënkryetar
Faton Shehu – Nënkryetar
Irfan Purçuku – Sekretar i Përgjithshëm
Shkëndije Pacolli – Anëtare
Burim Kuraja – Anëtar
Irfan Tërnava – Anëtar

Në adresimin e tij të parë si kryetar, Krasniqi falënderoi anëtarësinë për mbështetjen dhe paralajmëroi një qasje dinamike, të fokusuar në afrimin e bizneseve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e hapësirës për sipërmarrësit shqiptarë në tregun gjerman.
“Do të punojmë për ta bërë Unionin një adresë edhe më të fuqishme të bashkëpunimit ekonomik, rrjetëzimit të bizneseve dhe mbështetjes së sipërmarrësve shqiptarë në Gjermani dhe më gjerë”, deklaroi Krasniqi.
Kryesia e re pritet të intensifikojë aktivitetet që lidhen me promovimin e investimeve, lidhjen e kompanive shqiptare me tregun gjerman dhe ndërtimin e urave të reja ekonomike mes dy vendeve.
Prej vitesh, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane konsiderohet një nga organizimet më me ndikim të biznesit shqiptar në diasporë, duke luajtur rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe avancimin e interesave të sipërmarrësve shqiptarë në Gjermani.











