Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku u përfshinë një veturë dhe një kamion.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në këtë aksident, drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në kilometrin e 26-të, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues, kamion me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja”.
“Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”.
Kelani bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë, përveç njësive policore që po merren me rastin, edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante të emergjencës.






