Policia tajlandeze ka zbuluar një rast tronditës të neglizhencës prindërore, ku një djalë tetëvjeçar u gjet duke jetuar i vetëm në një kasolle të rrethuar nga qen dhe pa aftësi për të folur, duke komunikuar vetëm përmes lehitjes, raportoi gazeta The Mirror.
Fëmija ishte braktisur nga nëna dhe vëllai i tij 23-vjeçar, të cilët, sipas autoriteteve, përdornin substanca narkotike. Nëna e kishte regjistruar djalin në shkollë vetëm për të përfituar ndihmë shtetërore, por ai nuk kishte marrë pjesë në asnjë orë. Kjo nxiti shkollën të kontaktojë aktivisten për të drejtat e fëmijëve, Pavina Hongsakul, e cila më pas raportoi rastin në polici.
“Djali nuk fliste. Vetëm lehte. Ishte e trishtueshme ta shihje në atë gjendje,” tha Hongsakul.
Banorët e zonës raportuan sjellje të dyshimtë të nënës, e cila shpesh kërkonte ushqim në rrugë. Për shkak të sjelljes së saj, familjet i kishin ndaluar fëmijët e tyre të ndërvepronin me djalin. Izoluar dhe pa kujdes njerëzor, ai ishte lidhur vetëm me qentë dhe kishte filluar të imitonte sjelljen e tyre.
Më 30 qershor, një operacion i përbashkët i Ministrisë së Arsimit të Tajlandës dhe policisë së Lap Lae çoi në ndalimin e të rriturve për përdorim droge dhe transferimin e djalit në një qendër për fëmijë të neglizhuar.
“Djalit do t’i jepet një shans për një jetë të mirë. Ne do ta ndjekim progresin e tij për t’u siguruar që ai të marrë çdo mbështetje të nevojshme,” njoftoi Ministria e Arsimit.






