Etja e Amerikës për Grenlandën po ndez një përplasje të ashpër brenda NATO-s. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i zemëruar nga rezistenca e aleatëve evropianë ndaj përpjekjeve të tij për të aneksuar këtë territor autonom danez, deklaroi sot se do të vendosë tarifa 10% ndaj importeve nga tetë vende europiane, pasi këto shtete kishin dërguar trupa ushtarake në Grenlandë vetëm dy ditë më parë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Trump akuzoi aleatët se po krijonin “një situatë shumë të rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit”. Ai shtoi se kjo tarifë do të rritej në 25% në qershor dhe do të qëndronte në fuqi “derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe përfundimtare të Grenlandës”.
Bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe danezë javën e kaluar përfunduan pa rezultat. Ndërkohë, mijëra qytetarë në Groenlandë dhe Danimarkë dolën në rrugë me mesazhin e qartë: “Territori nuk është në shitje.” Reagimi nga liderët evropianë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Emmanuel Macron deklaroi se “asnjë kërcënim apo shantazh nuk do të na ndikojë, as në Ukrainë, as në Grenlandë.” Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha: “Nuk do të lejojmë të na shantazhojnë”. Ndërsa kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, e quajti kërcënimin e tarifave “plotësisht të gabuar”. BE nga ana tjetër paralajmëroi se do të reagojë në mënyrë të koordinuar dhe të vendosur.
Pasojat për NATO-n janë të mëdha dhe shqetësuese. Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi më 5 janar se “nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, gjithçka ndalon. Kjo përfshin edhe vetë NATO-n dhe sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore.” Historikisht, mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare të NATO-s nuk kanë qenë të rralla, përfshirë luftërat e merlucit mes Britanisë dhe Islandës, pushtimin e Qipros nga Turqia dhe përplasjet mes flotave greke e turke, por këto nuk e kanë cënuar themelet e aleancës. Ndryshe nga këto, pretendimi i hapur i SHBA-së për aneksim të një territori të një vendi aleat, vendos në pikëpyetje vetë themelet e NATO-s, ku SHBA mban jo vetëm peshen më të madhe ushtarake, por edhe lidershipin strategjik.
Një gjeneral amerikan ka shërbyer që prej krijimit të NATO-s si Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), dhe planet e mbrojtjes për kontinentin, përfshirë edhe Grenlandën, janë shkruar duke presupozuar angazhimin e thellë të SHBA-së. Shkëputja e këtij besimi mund të çojë në një krizë ekzistenciale për aleancën. Nëse SHBA anekson Grenlandën, me apo pa marrëveshje, besimi i vendeve evropiane tek Neni 5 i NATO-s, i cili garanton mbrojtje të ndërsjellë, do të shpërbëhet. Vetë Trump e ka vënë shpesh në dyshim këtë nen, dhe shumë liderë europianë pyesin në heshtje: nëse është i gatshëm të copëtojë një vend aleat, si mund të besohet se do të mbrojë një tjetër nga Rusia?
Edhe nëse nuk ka përleshje në rrugët e Nuuk-ut, aneksimi i Grenlandës nga SHBA do të ishte një tronditje e thellë për rendin ndërkombëtar, një moment zhgënjimi i pakthyeshëm për partneritetin transatlantik. Julie Smith, ish-emisare e Presidentit Biden në NATO, e përmblodhi qartë dilemën: “Si mund të vazhdojë NATO të punojë kundër Rusisë kur anëtari më i fuqishëm i saj po cenon sovranitetin e një aleati tjetër?”
Qeveritë evropiane do të përballen me një zgjedhje të vështirë: të tolerojnë këtë veprim për të ruajtur aleancën, apo të kundërpërgjigjen fuqishëm për të mbrojtur parimet mbi të cilat NATO është ndërtuar. Disa mund të argumentojnë se Grenlanda është “tepër e vogël” për të rrezikuar lidhjet transatlantike. Të tjerë do të frikësohen se një tolerim i tillë do të inkurajojë agresorë si Rusia të testojnë mbrojtjen evropiane.
Një opsion është përshkallëzimi ekonomik. Deri tani, BE ka shmangur përplasjet tregtare me SHBA-në për shkak të varësisë ushtarake, por kërcënimi i Trump mund të ndryshojë këtë dinamikë. Marrëveshja tregtare BE–SHBA, e arritur vetëm një vit më parë, rrezikon të dështojë. Parlamenti Europian ka sinjalizuar mundësinë e sanksioneve ndaj kompanive teknologjike amerikane. Por një luftë tregtare do të kërkonte rritje të menjëhershme të shpenzimeve për mbrojtje, një barrë e rëndë për buxhetet e vendeve anëtare.
Një tjetër çështje do të jetë e ardhmja e bazave dhe forcave amerikane në Europë. Disa shtete do të kërkojnë që të qëndrojnë, si garanci sigurie. Të tjerë mund ta shohin largimin e tyre si mjet presioni diplomatik. Realiteti është se SHBA nuk mund të ushtrojë ndikim ushtarak në Afrikë apo Lindjen e Mesme pa akses në bazat në Gjermani, Britani apo Danimarkë. Aksioni i fundit amerikan në Venezuelë më 7 janar, që përfshiu sekuestrimin e një tankeri nafte, u realizua me ndihmën e infrastrukturës europiane. Edhe monitorimi i Arktikut, arsyeja zyrtare për interesin e SHBA-së ndaj Grenlandës, varet nga bashkëpunimi me vende si Islanda, Norvegjia dhe Britania.
Nëse ndodh një përçarje e papritur, Britania mund të përballet me një krizë të thellë në sistemin e saj të inteligjencës, mbrojtjes bërthamore dhe aftësive nëndetare. Shumë forca ajrore europiane nuk do të jenë në gjendje të përdorin plotësisht avionët F-35 pa teknologjinë dhe mbështetjen amerikane. Kjo mund të sjellë një tkurrje të menjëhershme të kapaciteteve ushtarake të Evropës.
NATO është një aleancë e ndërlikuar dhe nuk mund të shpërbëhet me një deklaratë të vetme. Megjithatë, themelet e saj, të ndërtuara mbi besim të ndërsjellë, mund të kalben nga brenda. Siç thotë Julie Smith: “Nuk presim ndonjë shpallje të madhe që NATO po mbyllet. Mund të vazhdojë të funksionojë, por pa atë besim themelor që e ka mbajtur gjallë për 75 vjet.” Dhe nëse SHBA e tradhton atë besim, aleanca më e fuqishme në histori mund të vazhdojë të ekzistojë – por vetëm në letër.








