Një person ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta mëngjesin e sotëm në fshatin Lladroviq të Malishevës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 09:15.
Ai tha se njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
“Sot me datë 30 korrik 2025 rreth orës 09:15 jemi njoftuar se nga fshati Lladroviq-Malishevë, një person mashkull i moshës madhore, nga familjarët, është derguar në QKMF Malishevë pa shenja jete.
Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, është hapur rast “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.”, deklaroi ai.








