Një 48-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e tij të punës në qytetin e Shtimes, mbrëmjen e së martës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45 në një kompani që operon në zonën industriale të Shtimes.
Sipas tij, viktima, një punëtor rreth moshës 48-vjeçare, ka pësuar lëndime gjatë procesit të punës dhe është dërguar menjëherë në Emergjencën e Ferizajt. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, aty është konstatuar vdekja e tij.
“Ju njoftojmë se më 15.04.2026, rreth orës 20:45, kemi pranuar një informatë se në një kompani në zonën industriale në Shtime, një person (punëtor) rreth 48 vjeç është lënduar gjatë punës. Ai është dërguar menjëherë në Emergjencën e Ferizajt, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e tij”, ka deklaruar Veseli.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet relevante policore, përfshirë patrullat dhe hetuesit e stacionit policor në Ferizaj.
Po ashtu, janë njoftuar edhe hetuesit dhe krimteknikët nga Sektori Rajonal i Hetimeve, prokurori i shtetit, si dhe Inspektorati i Punës, të cilët kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Për shkak të rritjes së numrit të punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës, ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Andin Hoti, ditë më parë paralajmëroi aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në sektorin me rrezik të lartë, veçanërisht në ndërtimtari.
Hoti ka marrë vendim për fillimin e menjëhershëm të një aksioni të jashtëzakonshëm kombëtar të inspektimeve.
Ai ka thënë se çdo kompani që nuk garanton kushte bazike të sigurisë, do të ketë ndalim të menjëhershëm të punimeve, do ndëshkohet sipas ligjit dhe nuk do të lejohet të vazhdojë punën derisa të plotësojë standardet.
Vetëm gjatë periudhës nga janari deri në muajin prill të këtij viti, janë regjistruar tetë raste fatale që lidhen drejtpërdrejt me vendin e punës.









