Prokuroria Themelore në Pejë, ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Insajderi merr vesh që Prokuroria në Pejë, deri tash ka ftuar ne intervistim mbi 30 persona. Deri tash janë ftuar komisionerë nga Deçani, Juniku, Istogu.
Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti.








