Në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK) tashmë ka nisur të lëshohen vërtetimet për modifikimet në xhamat e veturave, sipas procedurës së A-TEST-it.
Procedura, e cila rregullon me dokumentacion errësimin e xhamave të pasëm në automjete, hyri në fuqi dy ditë më parë më 1 prill.
Para se të hynte në fuqi kjo rregullore, vendosja e xhamave të zinj në automjete të cilat nuk kishin xhama të errësuar fabrikisht nga prodhuesi, sanksionohej me gjobë bazuar në Ligjin për Kundërvajtje.
Vërtetimi i përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara, i cili ka nisur të zhvillohet në QAK, kushton 80 euro.
Një shofer ka publikuar të enjten një vërtetim të modifikimit të xhamave në automjetin e tij.

Para vitit 2024, vendosja e folieve të zeza në vetura, të cilat humbin dukshmërinë brenda automjeteve, nuk ishte e lejuar me ligj.
Ndalimi bazohej në një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në këtë akt nënligjor thuhej se vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim në xhamat e automjetit është e ndaluar, përveç në mjetet institucioneve shtetërore, të cilat përcaktohen me vendim të Ministrisë së Brendshme.
Me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor që hyri në fuqi më 2024, errësimi i xhamave në automjet cilësohej si “vendosje e pjesëve shtesë në automjet” dhe sanksionohej për kundërvajtje me gjobë prej 40 euro.









