spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Nga “Make Iran Great Again” te armëpushimi i papritur, si e ndali Trump luftën përmes rrjeteve sociale!

Vetëm në 36 orët e fundit, Lindja e Mesme u gjend buzë një lufte të gjerë, për t’u kthyer më pas në një armëpushim të papritur, e megjithatë të brishtë, mes Izraelit dhe Iranit.

Në qendër të kësaj spirale ndodhej një emër: Donald Trump. Me postime të shkruara në shkronja të mëdha dhe me përdorim të bollshëm të pikëçuditës, presidenti amerikan riktheu diplomacinë në stilin e tij të çuditshëm dhe impulsiv, që megjithatë shkaktoi tronditje të vërteta në skenën gjeopolitike botërore.

Kronika e postimeve të Trump

“MIGA!!!”
Të dielën vonë, një ditë pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, Trump postoi një mesazh të koduar, por të fortë: “MAKE IRAN GREAT AGAIN!”, që u interpretua gjerësisht si një thirrje për ndryshim regjimi në Teheran.

“Bullseye!!!”
Në orët e para të së hënës, ai përshëndeti “dëmet monumentale” ndaj Iranit, duke shtuar se “shkatërrimi” ishte termi i duhur. “Bullseye!!!”, shkroi, sikur të ishte duke komentuar një lojë shënjestre.

Sulm ndaj “Fake News”
Ndërsa një bazë ushtarake amerikane në Katar u godit nga raketat iraniane, Trump nuk reagoi menjëherë për sulmin, por zgjodhi të akuzojë mediat për raportime që nuk pasqyronin plotësisht pretendimet e tij për “shkatërrimin total” të objekteve në Iran.

“Reagim shumë i dobët”
Vetëm një orë më pas, më në fund foli për sulmin iranian, të cilin e quajti një “reagim shumë të dobët”, duke falënderuar Iranin që i kishte paralajmëruar amerikanët paraprakisht. Askush nuk u lëndua.

Armëpushimi
Të hënën në mbrëmje, rreth orës 23:00, Trump shpalli marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit, vetëm disa orë pas sulmit ndaj bazës në Katar. “URIME PËR TË GJITHË!”, shkroi, sikur të shpallte fundin e një reality show.

Shpërthimi me fjalë të rënda
Por entuziazmi nuk zgjati shumë. Në mëngjesin e së martës, kur Izraeli sulmoi sërish pak orë para hyrjes në fuqi të armëpushimit, Trump reagoi publikisht:

“Kam nevojë që Izraeli të qetësohet,” tha i nervozuar para gazetarëve, duke shtuar: “Kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe fort, sa nuk e dinë më çfarë dreqin po bëjnë.”

Paralajmërimi për Izraelin
Në një postim tjetër, Trump shkroi se nuk do të ketë më sulme ndaj Iranit, duke shtuar me ironi se avionët “do të kthehen në bazë, duke i bërë një përshëndetje miqësore Iranit.” Ai shtoi gjithashtu se Irani “nuk do të rindërtojë më kurrë kapacitetet e tij bërthamore.”

Mesazhi i NATO-s
Në vijim, ndau një screenshot që sipas tij ishte një mesazh nga shefi i NATO-s, Mark Rutte:
“Urime dhe faleminderit për veprimin tuaj vendimtar ndaj Iranit.”

“Ishte nderi im”
Në një tjetër postim të fundit, Trump shkroi: “Të dy, Izraeli dhe Irani, donin ta ndalonin luftën. Ishte nderi im i madh të shkatërroja të gjitha objektet dhe kapacitetet bërthamore, dhe pastaj… ta ndaloja luftën!”

Aktualisht, Trump ndodhet në Holandë për samitin e NATO-s, por nuk ka dyshim se fjalët e tij, apo më saktë, postimet e tij, do të vazhdojnë të tronditin botën.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit