- Një Natë që Shkroi Historinë e Rezistencës Shqiptare
Sot shënohen plot 33 vjet nga aksioni i parë gueril i armatosur në Republikën e Kosovës, kundër forcave policore serbe – një aksion i guximshëm dhe i organizuar nga njësiti gueril i fshatit Llaushë, me urdhër të komandantit legjendar Adem Jashari.
Ngjarja ka ndodhur në mesnatën e 6 dhe 7 korrikut 1992, në ditën e martë, në qendër të Skënderajt, mes shkollës fillore dhe asaj të mesme.
Sipas dëshmisë së drejtpërdrejtë të Gani Gecit, ky aksion ishte i pari i këtij lloji në gjithë Kosovën. Ai u realizua nga tre djemtë e njësitit gueril: Gani Geci, Xhevahir Geci dhe Agim Geci.
“Pozicioni u përzgjodh me kujdes. Aty u dha leksioni i parë forcave serbe – një sinjal i qartë se ishin në tokë të huaj,” ka deklaruar Gani Geci, duke theksuar se aksioni ishte i mirëorganizuar dhe i konfirmuar nga bashkëluftëtarët e tij Xhevahir dhe Agim Geci, të cilët janë ende gjallë.
Ngjarja kishte pasoja të menjëhershme: një polic serb u vra dhe një tjetër u plagos. Lidhur me këtë sulm, policia serbe ndërmori bastisje dhe arrestime të menjëhershme, përfshirë edhe ish-komandantin e policisë së Skënderajt, Azem Gashin, si dhe qytetarë të pafajshëm, përfshirë familjarë të Gecajve – Halilin dhe Fadilin.
Si dëshmi për këtë ngjarje historike, Gani Geci ka ndarë edhe një pjesë të gazetës “Bujku” të datës 8 korrik 1992, e ruajtur nga Betim Zabërxhja nga Vushtrria. Kjo gazetë raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë për aksionin dhe ndodhitë që pasuan, përfshirë përmendjen e emrit të Qazim Zabërgjes, shtëpia e të cilit ishte bastisur nga forcat serbe.
Kjo ngjarje shënon një pikë kthese të rëndësishme në historinë e luftës çlirimtare në Kosovë dhe konfirmon organizimin dhe guximin e hershëm të djemve të Llaushës nën udhëheqjen e Adem Jasharit. Ajo mbetet një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës sonë kombëtare.






