Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deputetes Hykmete Bajrami pas deklaratave të saj bazuar në të dhëna të Bankës Botërore, ku ajo tha se nga Kosova po ikin më shumë qytetarë se nga vendet që janë vatra të luftës.
Murati ka theksuar se të dhënat e paraqitura në faqen e Bankës Botërore bazohen vetëm në informacionet e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të cilat sipas tij nuk janë përditësuar siç duhet ndër vite. Ai ka shtuar se në përditësimin e fundit të Bankës Botërore rezulton se vetëm 9.7% e popullsisë kanë lëshuar vendin.
Ministri ka vënë në dukje se valët më të mëdha të ikjes së qytetarëve kanë ndodhur gjatë qeverisjes së LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe, dhe sipas tij, një koalicion i tillë po tentohet të formohet edhe tani.
Postimi i plotë:
Deri diku mund t’i kuptoj ata që nuk i njohin statistikat, kur bëjnë pretendime të tilla se gjoja për një vit të vetëm paskan lëshuar vendin 9.7% e popullsisë.
Por kur këtë e bën dikush që pretendon se është ligjërues në universitet, siç është deputetja Bajrami, atëherë janë dy mundësi: ose deputetja me vetëdije po manipulon, ose në rastin tjetër kur ajo njëmend e mendon këtë që e paska thënë atëherë ne duhet të brengosemi thellësisht për cilësinë e studentëve që prodhon ky lloj profesorësh.
Banka Botërorë nuk ka bërë asgjë më tepër sesa të paraqesë atë që e ka publikaur ASK, e që është numri i popullsisë rezidente në Kosovë.
Në vitin 2023 sipas ASK-së është VLERËSUAR të kenë qenë 1.76 milionë banorë, kurse me censusin e vitit 2024 kjo shifër ka dalë të jetë 1.6 milionë banorë. Pra nuk thuhet askund që vendin e kanë lëshuar 160 mijë persona brenda një viti, por që thjesht është korrigjim statistikor, nga vlerësimi i përafërt në vitin 2023 në shifrën aktuale sipas censusit të vitit 2024.
Kjo nënkupton se vlerësimi i viteve paraprake nga ASK ka qenë i gabuar, sepse herën e fundit kur ishte bërë numërimi i popullsisë ka qenë viti 2011, dhe prej atëherë ASK ka bërë vetëm vlerësim. E përgjatë vlerësimit nëpër vite në periudhën 2011-2023, shihet se ASK nuk ka arritur të përfshijë me saktësi largimin e popullsisë gjatë kësaj periudhe.
E ka qenë pikërisht viti 2014 dhe 2015 kur Kosova kishte përjetuar ekzod të ikjes të paparë, kur Hykmete Bajrami me partinë e saj patën tradhëtuar besimin e qytetarëve dhe patën shkuar në koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe – pak a shumë siç po tentojnë të bëjnë edhe tani.









