E kishte planifikuar si një arratisje të paharrueshme në zemër të Alpeve shqiptare, por për një turist nga Jemeni dhe familjen e tij, pushimet në Theth përfunduan në ‘rrënoja’.
Ai kishte rezervuar për dy netë në kompleksin turistik “Eagles Villas Theth”, por kur mbërriti aty, ndërtesat ishin shkatërruar nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Kompleksi, në pronësi të Prek Kodrës, një emër tashmë në listën e të kërkuarve nga SPAK, ishte pjesë e aksionit të gjerë të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Askush nuk kishte menduar të njoftojë klientët që kishin prenotuar dhe kishin paguar.
🔊
“Jam me familjen time, kam prenotuar dhe tani nuk e di ku të shkoj. Kjo nuk është normale për vendin tuaj. Unë vij për të qenë i lumtur, por përballem me këtë situatë që nuk më ka lajmëruar askush”, u shpreh turisti i indinjuar, duke treguar edhe rezervimin në telefon.
Kjo ngjarje vjen mes përplasjes politike dhe institucionale për ndërtimet në Theth, ku vetë Kryeministri Rama ka akuzuar prokurorinë për “mbrojtje të paligjshmërisë”, ndërsa nga ana tjetër prokurorët kundërshtojnë ndërhyrjet politike.






