Prokurorët ndërkombëtarë të krimeve të luftës thanë të hënën se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi , kontrollonte guerilasit shqiptarë etnikë dhe duhet të dënohet për krime lufte me 45 vjet burg.
Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë të njerëzve gjatë dhe menjëherë pas kryengritjes së viteve 1998-99 që përfundimisht solli pavarësinë e rajonit me shumicë shqiptare nga Serbia.
Kimberly West, prokurorja që kërkoi dënimin me nga 45 vite burg për secilin nga ish-drejtuesit e UÇK-së, zëvendësoi në këtë funksion Jack Smith, prokurorin që urdhëroi arrestimin e Hashim Thaçit.
Kimberly West, një ish-prokurore federale amerikane me përvojë të gjerë në hetimet penale vendase dhe ndërkombëtare, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procesi të organizuar nga Bashkimi Evropian.
West bëhet Prokurorja e tretë e Specializuar, duke pasuar Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Këshilltare e Posaçme në Shtetet e Bashkuara. “Është një nder që jam përzgjedhur për këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues”, tha West.
West punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role lokale, shtetërore, federale dhe ndërkombëtare. West ishte gjithashtu Shefe e Byrosë Penale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit midis viteve 2015 dhe 2019. West iu bashkua Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së, Distrikti i Massachusetts, ku shërbeu si Ndihmëse Prokurore e SHBA-së në Njësinë Kundër Mashtrimeve në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. West iu bashkua Njësisë së Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin.
Midis viteve 2008 dhe 2013, West shërbeu si prokurore në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ishte anëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiçin për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e ndjekjes penale të Prlić et al., i cili u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.
Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga detyra në vitin 2020 për t’u mbrojtur kundër 10 akuzave për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës së vendit të tij për pavarësi nga Serbia në vitet 1998-99 në një gjykatë në Hagë.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë pretencës së Prokurorëve ndërkombëtarë, ndërsa në seancat e ardhshme pritet tw mbrojtja të paraqesë qëndrimet e saj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte në Kosovë dhe Shqipëri në vitet 1998-99.
Në fillim të fjalëve të saj, Kryeprokurorja Kimberly West vlerësoi se provat e paraqitura gjatë gjyqit tregonin se krimet në aktakuzë ishin kryer dhe se “të pandehurit mbajnë përgjegjësi penale”.
“Provat justifikojnë dënime të gjata me burg për të gjithë të pandehurit”, tha kryeprokurorja.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve, të shpallur “bashkëpunëtorë”, në rreth 40 qendra paraburgimi të UÇK-së në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan (fshat nw Krumë) në veri të Shqipërisë, nga marsi 1998 deri në nëntor 1999.
Kryeprokurori specifikoi se të pandehurit janë përgjegjës për vdekjen e të paktën 100 personave dhe abuzimin e qindra njerëzve.
Ajo gjithashtu e cilësoi si të provuar akuzën se katër udhëheqësit e UÇK-së ishin “protagonistë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” me qëllim marrjen e kontrollit të të gjithë Kosovës.
Sipas saj, shënjestra e tyre ishin të gjithë ata që ata i perceptonin si “kundërshtarë” të UÇK-së, serbë, romë, shqiptarë të cilët i shpallnin bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës.
Duke iu referuar provave, Prokurori West vlerësoi se të akuzuarit ishin “anëtarë kyç të Shtabit Kryesor të UÇK-së” dhe se “komandantët e zonave operative të UÇK-së merrnin urdhra prej tyre, dhe nuk ishte e kundërta”, siç pretendoi mbrojtja.

West i quajti këto pretendime mbrojtëse një “shtrembërim cinik të së vërtetës”.
Prokurorja i etiketoi dëshmitë e 7 zyrtarëve ndërkombëtarë, përfshirë Gjeneralin Wesley Clark dhe Ambasadorin Christopher Hill, në mbrojtje të të pandehurit të parë, Thaçi, si të pabesueshme.
Sipas saj, këto dëshmi bazoheshin në “njohuritë e kufizuara” të dëshmitarëve që ishin “parashutistë” në situatën komplekse në Kosovë dhe nuk kishin njohuri për organizimin e brendshëm të UÇK-së dhe operacionet e saj në terren.
Kryeprokurorja shprehu mirënjohje të veçantë për viktimat dhe dëshmitarët që dëshmuan pavarësisht “klimës së vazhdueshme të frikësimit në Kosovë”, domethënë “kërcënimeve, frikës dhe stigmës” ndaj të cilave ata ishin të ekspozuar.
Para dhomës së gjyqit të kryesuar nga Charles Smith, prokurorët dhe avokatët mbrojtës do të paraqesin argumentet përfundimtare deri më 18 shkurt.
Sipas rregullave të gjykatës, vendimi kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së do të shpallet brenda 90 ditësh.
Nëse gjyqtarëve u duhet më shumë kohë për të vendosur, afati për shpalljen e vendimit mund të zgjatet me 60 ditë të tjera.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë individualisht penalisht përgjegjës për mizoritë e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar, si pjesë e “sulmeve të përhapura dhe sistematike ndaj personave të dyshuar se kundërshtojnë UÇK-në”.
Aktakuza i ngarkon Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin me dhjetë akuza: përndjekje për arsye politike dhe etnike, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, zhdukje me forcë, torturë (dy akuza) dhe vrasje (dy akuza).
Aktakuza identifikoi 750 viktima, 51 serbe, 23 shqiptare dhe një rom.
Gjashtë akuza të aktakuzës ngarkojnë Thaçin (56), Veselin (57), Selimin (53) dhe Krasniqin (74) me krime kundër njerëzimit, si dhe katër akuza për krime lufte.
Sipas aktakuzës, ata ishin pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje kriminale ishte të merrte kontrollin e të gjithë Kosovës me anë të dhunës kundër të gjithë atyre që UÇK-ja i konsideronte “armiq”.
Si bashkëpunëtorë në lidhjen kriminale figurojnë edhe oficerët e UÇK-së Azem Sula, Lah Brahimaj, Fatmir Limaj, Sulejman Selimi, Rustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Të gjithë të pandehurit deklaruan se nuk ishin fajtorë.
Ata kanë qenë në paraburgim në Hagë që nga arrestimet e tyre në Kosovë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Gjyqi i Thaçit dhe të bashkëpandehurve të tij filloi para gjykatës në Hagë më 3 prill 2023 dhe prokurorët përfunduan prezantimin e provave më 15 prill të vitit të kaluar.
125 dëshmitarë të prokurorisë dëshmuan në sallën e gjyqit të Hagës, dhe prokurorët paraqitën deklaratat e dhjetëra dëshmitarëve të tjerë si prova në formë të shkruar.
Provat e prokurorisë përfshijnë 3,000 dokumente në shqip, serbisht dhe anglisht.
Shtatë dëshmitarë dëshmuan në mbrojtje të Thaçit, ish-zyrtarë britanikë dhe amerikanë që u takuan dhe zhvilluan bisedime me të në vitet 1998-99.
Këta dëshmitarë dhanë deklarata pothuajse identike se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak, por përfaqësues politik i UÇK-së, dhe se ai nuk mund të kishte qenë autori i krimeve në aktakuzë.
Sipas dëshmitarëve të mbrojtjes, UÇK-ja nuk ishte as një ushtri e organizuar me një komandë qendrore dhe zinxhir komandues.
Kur u morën në pyetje nga prokurorët, Clark, Hill dhe dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes së Thaçit konfirmuan, megjithatë, se në atë kohë ata nuk kishin informacion të detajuar rreth organizimit dhe aktiviteteve të brendshme të UÇK-së në terren, as rreth rrëmbimit dhe ndalimit të civilëve.
Dëshmi me shkrim të mbrojtjes u paraqitën edhe nga përfaqësuesit e të pandehurit të katërt, Krasniqi.
Duke besuar se prokurorët nuk e kishin vërtetuar fajësinë e tyre, i pandehuri i dytë Veseli dhe i pandehuri i tretë Selimi nuk i paraqitën gjykatës dëshmitarë të mbrojtjes.
Gjatë gjyqit, gjykata dëgjoi raportet e dy ekspertëve mbi dëmet materiale, fizike dhe mendore të pësuara nga viktimat.
Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, të gjitha viktimat që marrin pjesë në gjyq do të kenë të drejtë për kompensim.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç quhet zyrtarisht gjykata, u krijuan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës nën presionin ndërkombëtar të shkaktuar nga raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbi krimet e UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri, i botuar në vitin 2011.
Gjykata është zyrtarisht pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por vepron në Hagë. Në vendimet dhe dokumentet e saj të tjera, gjykata ka konstatuar se ekziston një klimë e vazhdueshme frikësimi dhe ngacmimi të dëshmitarëve në Kosovë kundër anëtarëve të akuzuar të ish-UÇK-së.








