Dronë, mortaja dhe sisteme të përparuara artilerie, duke përfshirë edhe obusët. Këto janë disa nga armatimet që Shqipëria do të furnizohet nga një prej kompanive izraelite bazuar në një marrëveshje, që konsiderohet si “sekret’ nga autoritetet në Shqipëri.
Pikat e marrëveshjes zbulojnë armatimin që Shqipëria do të ketë, ndërsa shumë prej vendeve të Rajonit, për shkak edhe të zhvillimeve gjeopolitike, kanë rritur buxhetet në fushën e mbrojtjes. Disa muaj më parë Shqipëria nënshkroi marrëveshje me Kroacinë dhe Kosovën në fushën e mbrojtjes, duke shkaktuar një reagim nga Serbia, e cila në anën tjetër krijoi një aleancë me Hungarinë. Pak muaj më parë, Serbia organizoi një paradë ushtarake duke shpalosur arsenalin e saj të armëve, sikundër janë publikuar herë pas here detaje nga marrëveshjet që Serbia ka nënshkruar me vende të NATO-s, për furnizimin me armë.
Ndërkohë, në dokumentin zyrtar thuhet se kompania izraelite e mbrojtjes do të ndihmojë Shqipërinë, një anëtare të NATO-s, të krijojë një industri të pavarur mbrojtëse.
Bëhet fjalë për firmën izraelite të mbrojtjes “Elbit Systems”, e cila do të furnizojë Shqipërinë me armatim dhe do ta ndihmojë vendin të zhvillojë prodhimin e saj vendas, shkruan media izraelite Haaretz.
Në artikullin e Haaretz thuhet se marrëveshja aktuale është një hap tjetër në forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes midis Izraelit dhe Shqipërisë, një proces që përputhet me përpjekjet e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të zhvilluar një industri të brendshme mbrojtëse.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive izraelite dhe shqiptare në shtator, Elbit Systems do të furnizojë Shqipërisë me obusë ATMOS 155 mm të montuar në kamionë dhe sisteme mortajash SPEAR 120 mm të bazuara në mortajën CARDOM të Elbit.
Kompania do të furnizojë gjithashtu dy lloje dronësh taktikë me rreze të shkurtër veprimi, Magni-X dhe Thor.
Madhësia e marrëveshjes nuk dihet, por marrëveshjet e mëparshme të ATMOS që Elbit Systems raportoi tregojnë se secila njësi shitet për 5 milionë dollarë.
Droni kuadrokopter Magni-X mund të mbahet në shpinë dhe Elbit Systems thotë se ka aftësi plotësisht autonome, duke e lejuar atë të fluturojë në zona me ndërprerje të rënda të GPS-it.
Magni-X mund të mbajë një ngarkesë prej 1.5 kg, duke përfshirë kamera për shikim gjatë ditës dhe natës, dhe sensorë të tjerë. Ai mund të funksionojë deri në 60 minuta pa ndërprerje.
Droni Thor peshon deri në 15 kg, duke përfshirë një ngarkesë zbulimi ose sistemin TerminaTHOR, i projektuar për të hedhur nga ajri 5 municione të vogla. Koha maksimale e fluturimit të tij pa një ngarkesë të rëndë është rreth 70 minuta.
Sipas marrëveshjes, Elbit Systems do të bashkëpunojë me kompaninë qeveritare shqiptare KAYO, e cila u krijua në vitin 2024 për të çuar përpara zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.
Firma do të ndërtojë një uzinë prodhimi prej 5000 metrash katrorë (rreth 53,800 këmbë katrorë) në veri të Shqipërisë.
Marrëveshja me Izraelin parashikon që Elbit Systems do t’i sigurojë Shqipërisë dhjetë dronë në fazën e parë, duke e ndihmuar më vonë vendin të ngrejë linja prodhimi për dronë dhe sisteme artilerie.
Marrëveshja e paraqitur për miratim nga Qeveria shqiptare nuk përmend shumën e marrëveshjes dhe as nuk specifikon burimet e financimit.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar se Shqipëria do të jetë në gjendje të pajisë ushtrinë e saj me dronë të prodhuar në vend deri në vitin 2027, dhe raportet në vend thonë se teknologjia izraelite është prapa këtij premtimi.
Rezulton se Elbit Systems është një nga përfituesit kryesorë të forcimit të marrëdhënieve, pasi nënshkroi një marrëveshje në prill për të hapur një shkollë fluturimi në Vlorë, një qytet në bregdetin e Mesdheut, gjithashtu në bashkëpunim me KAYO.
Shqipëria u bashkua me NATO-n më shumë se 15 vjet më parë dhe ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes vitet e fundit, pjesërisht nën presionin e fortë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Vendi synon që investimet në mbrojtje të jenë 2 përqind e PBB-së së tij. Në ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e shkollës së fluturimit, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se investimet e vendit në mbrojtje ishin rritur më shumë se dhjetëfish në dhjetë vite, nga 13 milionë euro në 138 milionë.
Në vitin 2022, Rama akuzoi Teheranin për një sulm të rëndë kibernetik që rrëzoi shërbimet e vendit, dhe Tirana njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin. Në të njëjtën kohë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë Kombëtare Kibernetike të Izraelit, e cila e ndihmoi atë të krijonte mbrojtje kibernetike.
Elbit Systems dhe Ministria e Mbrojtjes refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të Haaretz në lidhje me marrëveshjen. Qeveria shqiptare nuk dha një koment mbi marrëveshjen.









