Këtë vit, disa vende evropiane po aplikojnë gjoba të rënda për turistët që sillen keq. Por pse tani dhe a do ta ndryshojë kjo mënyrën se si njerëzit pushojnë?
Imagjinoni skenën: fluturimi juaj sapo ka mbërritur në Antalia, Turqi, dhe mezi prisni të zbrisni nga avioni. I zgjidhni rripat e sigurimit, ngriheni nga sedilja dhe merrni çantën, të etur për të filluar pushimet. Por keni qenë paksa të etur. Një asistente fluturimi ju merr mënjanë dhe ju jep një gjobë të menjëhershme prej 62 eurosh sepse keni shkelur një rregull të ri : që nga ky vit, lirimi i rripit të sigurimit ose largimi nga sedilja para se avioni të ndalojë së lëvizuri mbart një gjobë.
Është një fillim i ndëshkueshëm për udhëtimin tuaj.
Këtë verë, Evropa po merr masa të ashpra ndaj pushuesve të padisiplinuar. Nga veshja e shapkave me gisht gjatë drejtimit të makinës deri te pirja e duhanit në plazhe, një valë e re gjobash turistike po përfshin kontinentin.
Në qytetin bregdetar të njohur të Portugalisë, Albufeira, veshja e rrobave të banjës jashtë plazhit mund t’ju kushtojë deri në 1,500 euro. Në Ishujt Balearik të Spanjës, duke përfshirë Mallorkën dhe Ibizën, gjobat për pirjen e alkoolit në publik mund të arrijnë në 3,000 euro. Edhe shkeljet e vogla, si rezervimi i një shezlongu dhe zhdukja , mund të ndikojnë negativisht në buxhetin tuaj të pushimeve.
Në shikim të parë, këto masa mund të duken si një kafshim i dorës që ushqen, pasi shumë nga këto destinacione fitojnë një sasi të konsiderueshme parash nga turizmi. Por autoritetet thonë se rregullat synojnë mbrojtjen e banorëve dhe pushuesve të përgjegjshëm.
“Rregullat, ndonëse mund të duken të ngurta dhe ndëshkuese kur renditen, kanë të bëjnë të gjitha me inkurajimin e udhëtimit të përgjegjshëm dhe empatik”, tha Jessica Harvey Taylor, Drejtore e Shtypit në Zyrën Spanjolle të Turizmit në Londër.
Në Malaga të Spanjës, një fushatë e re me 10 pika ” Përmirëso Qëndrimin Tënd” është përhapur në autobusë, tabela reklamash dhe media sociale për të përshkruar llojin e sjelljes që pritet në qytet. Ajo përfshin veshjen me respekt, shmangien e mbeturinave, zhurmën e tepërt dhe përdorimin e pamatur të skuterëve elektrikë. Gjoba deri në 750 euro (650 £) do t’u jepen atyre që nuk i zbatojnë rregullat.
Një kod i ngjashëm sjelljeje në hapësirat publike u lançua këtë vit në Albufeira, duke ndaluar gjithçka, nga lakuriqësia publike deri te urinimi në publik dhe braktisja e karrocave të pazarit. Vendasit vërejnë se gjobat që vijnë si pasojë nuk janë për sy e faqe: policia është e dukshme në zonat kryesore të jetës së natës të qytetit dhe vizitorëve po u vihen gjoba.
“Ne duhet të veprojmë duke pasur parasysh dy ide kryesore: mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit; dhe sigurimin që turizmi të jetë në harmoni me shoqërinë tonë”, tha Juan Antonio Amengual, kryetar bashkie i Calvià, Mallorca, në një fjalim më parë këtë vit. “Turizmi nuk mund të jetë një barrë për qytetarët.”
Ecja në Cinque Terre të Italisë me këpucë të papërshtatshme mund t’i bëjë udhëtarët të paguajnë deri në 2,500 euro. Dhe Franca tani i gjobit duhanpirësit 90 euro në vend për ndezjen e duhanit në plazhe publike dhe kënde lojërash.
Mbledhja e një guaske deti në Greqi mund të kushtojë 1,000 euro (870 paund); noti në kanalet e Venedikut, 350 euro (305 paund).
Si të mos gjobiteni në Evropë këtë verë
Gjoba: Deri në 300 euro për drejtim mjeti me shapka, këmbë zbathur ose sandale.
Ku? Spanjë, Greqi, Itali, Francë, Portugali
Si ta shmangni: Vishni këpucë të përshtatshme për të drejtuar makinën.
Gjoba: Deri në 1,500 euro për veshjen e rrobave të banjës larg plazhit.
Ku? Barcelona, Albufeira, Split, Sorrento, Kanë, Venecia
Si ta shmangni: Vishuni kur të largoheni nga plazhi.
Gjoba: Deri në 3,000 euro për pirjen e alkoolit në publik
Ku? Majorka, Ibiza, Magaluf, Ishujt Kanarie
Si ta shmangni: Pijeni me masë në një bar, restorant ose në vilën apo apartamentin tuaj.
Gjoba: Deri në 1,000 euro për marrjen e një guaske ose guraleci nga plazhi
Ku? Greqi
Si ta shmangni: Bëni një foto në vend të kësaj.
Gjoba: 350 euro për not në një kanal
Ku ? Venecia
Si ta shmangni: Mos harroni se ujërat e zeza derdhen në kanal; në vend të kësaj bëni një udhëtim me gondolë.










