Viti 2025 do të mbahet mend edhe për humbjet e dhimbshme në botën e sportit. Shumë figura të njohura – nga legjendat e futbollit, basketbollit, boksit, skisë dhe atletikës – kanë ndërruar jetë, duke lënë boshllëk në sportin dhe kulturën sportive.
Humbje të mëdha në janar dhe shkurt
Viti nisi me ndarjen nga jeta të Aldo Agropi, ish-mesfushor dhe trajner, më 2 janar në moshën 80-vjeçare. Po atë muaj humbën jetën edhe figura si Fabio Kudiçini, portieri i njohur dhe babai i Karlos Kudiçini, si dhe Rino Tomazi, zëri i njohur i tenisit dhe boksit. Ndër të tjera, u ndanë nga jeta edhe legjenda si Denis Lau dhe basketbollisti Drazen Dalipagiç.
Në shkurt, botën e sportit e tronditi humbja e mjeshtrit të shahut Boris Spaski, fitues i medaljes së artë tetë herë në Olimpiadën e Shahut dhe pjesëmarrës në përballjen legjendare kundër Bobi Fisher më 1972. Ai ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.
Mars – humbje të ndjera nga bota e futbollit dhe boksit
Më 5 mars, humbëm Bruno Pizul, zërin e paharrueshëm të transmetimeve sportive italiane, ndërsa tre ditë më vonë u nda nga jeta Oliver Miler, ish-lojtar i NBA-së. Humbje të mëdha shënuan edhe Edi Xhordan, themelues i ekipit të Formula 1, dhe Xhorxh Foreman, një nga boksierët më të njohur të historisë.
Prill – maj: trajnerë dhe legjenda të sporteve të ndryshme
Në prill u nda nga jeta Leo Benhakker, trajner i njohur i Ajaksit dhe Realit të Madridit, si dhe Xhusi Farina, ish-president i klubeve italiane të futbollit. Maji solli ndarjen nga jeta të ish-pilotit të Formula 1 Xhoshen Mas, çiklistit Enriko Paolini, ish-futbollistit Enzo Ferrari, si dhe legjendës së boksit italian Nino Benvenuti dhe presidentit të Interit Ernesto Pelegrini.
Verë tragjike
Korriku shënoi një humbje të dhimbshme për tifozët e Liverpulit me vdekjen e Diogo Xhota dhe vëllait të tij, në një aksident tragjik. Po atë muaj u nda nga jeta edhe Sergio Kampanja, ish-futbollist dhe themelues i Shoqatës Italiane të Futbollistëve, si dhe ikona e mundjes Hulk Hogan.
Gushti solli ndarjen nga jeta të basketbollistit Marko Bonamiko dhe më vonë të Kim Juxh, ndërsa shtatori u shënua nga vdekjet e stilistit dhe pronarit të Olimpia Milano, Xhorxho Armani, ish-boksierit britanik Riki Haton, skiatorit Mateo Franzoso, dhe themeluesit të makinave Enzo Osela.
Tetor – dhjetor: ikona të sporteve dimërore dhe atletikës
Tetori solli ndarjen nga jeta të skiatorit Xhuliano Beson, ndërsa në nëntor humbëm trajnerin e futbollit Xhovani Galeone, ish-mbrojtësin Atilio Maldera, komentatorin sportiv Andrea De Adamish, ish-lojtarin e NBA-së Majkëll rej Riçardson dhe portierin legjendar Lorenco Bufon.
Dhjetori u hap me ndarjen nga jeta të tenistit Nikola Pietranxheli, një nga figurat më të mëdha të sportit italian, ndërsa humbjet e fundit shënuan basketbollisti Elden Kembëll, Mabel Boki, e para që fitoi një titull kontinental me një ekip femrash, dhe ish-çiklisti dhe fituesi i Milan-Sanremo Mikele Dançeli.
Viti 2025 do të mbahet mend jo vetëm për fitoret dhe rekorde, por edhe për humbjet e dhimbshme që kanë tronditur botën sportive. Legjendat dhe ikonat që na lanë këtë vit lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe kujtime që do të qendrojnë përgjithmonë në historinë e sportit.








