Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka reaguar lidhur me debatet dhe kritikat ndaj Shkëlzen Gashit, duke u shprehur kundër linçimit publik ndaj tij.
Kraki theksoi se nuk beson që gabimet e evidentuara në ekspozitë kanë qenë të qëllimshme.
“Jam kundër linçimit që po i bëhet Shkëlzen Gashit, sepse jam i bindur që s’ka pasë asgjë të qëllimshme në gabimet që dolën”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, ndonëse nuk e njeh personalisht Gashin, bazuar në atë që ka parë dhe lexuar për të, nuk e konsideron atë si një person që e trajton historinë në mënyrë joserioze.
“Nuk e njoh personalisht, por nga sa kam parë, dëgjuar e lexuar, Shkëlzen Gashi nuk është nga ata që e trajtojnë shkencën dhe historinë në mënyrë qesharake”, tha Kraki.
Megjithatë, ai ngriti pikëpyetje lidhur me arsyetimin e Gashit se të dhënat e përdorura në ekspozitë vinin nga organizata e Natasha Kandiq.
Kraki kujtoi se vetë Gashi ka deklaruar më herët se për librin e tij mbi masakrat në Kosovë kishte hulumtuar për disa vite çdo rast në detaje, duke e bërë të paqartë, sipas tij, pse është mbështetur në burime të tjera për këtë çështje.
“Nëse ke hulumtuar çdo masakër në detaje, nuk kuptohet pse duhej të bazoheshe në të dhëna nga Serbia. A do të thotë kjo që as hulumtimi i tij nuk ka mundësuar korrigjimin e gabimeve?”, shtroi ai pyetjen.
Në fund, Kraki theksoi se trajtimi i shifrave dhe ruajtja e kujtesës kolektive për luftën duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe jo e organizatave të ndryshme.









