Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ka urdhëruar shkurtimin e afateve për marrjen nën kontroll të “fortesave të fundit terroriste” në Gaza dhe për “mposhtjen përfundimtare të Hamasit”. Ai nuk dha një afat të saktë për operacionin ushtarak, por la të kuptohet se ofensiva do të intensifikohet në ditët dhe javët e ardhshme.
“Shpreh mirënjohjen time të madhe për rezervistët që janë mobilizuar, për familjet e tyre dhe për të gjithë ushtarët izraelitë. Së bashku do të fitojmë”, tha Netanyahu në një deklaratë për mediat.
Izraeli ka paralajmëruar se do të thërrasë rreth 60,000 rezervistë në javët e ardhshme, në kuadër të përgatitjeve për ofensivën e re tokësore. Mobilizimi masiv vjen ndërsa qeveria izraelite vazhdon të urdhërojë shpërnguljen me forcë të qindra mijëra palestinezëve nga Qyteti i Gazës dhe zonat përreth.
Ky zhvillim pritet të përshkallëzojë më tej krizën humanitare në territor, ku mbi 2 milionë banorë përballen tashmë me mungesë të theksuar ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor.











