Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë do të nisë nesër, duke filluar nga ora 12:00.
Radoniqi bëri të ditur se nga e njëjta orë do të fillojë edhe konfirmimi i votave për subjektet politike. Ai theksoi se procesi i shpalljes së rezultateve përfundimtare do të realizohet vetëm pasi të përfundojë numërimi i votave me kusht, i votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe i votave nga diaspora.
“Shpalljen e rezultateve përfundimtare do ta bëjmë pasi të numërojmë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës. Numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave të subjekteve politike do të fillojë nesër nga ora 12:00, pasi që materialet zgjedhore sonte do të pranohen gjatë gjithë natës në Qendrat Komunale të Numërimit. Për këtë arsye, puna për numërim do të nisë nga ora 12:00 dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, ka deklaruar Radoniqi.








