Marina suedeze po has nëndetëse ruse në Detin Baltik pothuajse çdo javë, ndërsa tensionet në rajon po rriten paralelisht me agresivitetin e Moskës. Paralajmërimi vjen nga shefi i operacioneve të marinës suedeze, Kapiten Marko Petković, i cili thotë se Rusia po e rrit prezencën e saj ushtarake dhe po modernizon flotën detare me ritëm të shpejtë.
Sipas Petković, takimet me mjetet nënujore ruse janë bërë “shumë të zakonshme”, duke u shndërruar në pjesë të përditshme të punës për marinën suedeze. Ai thekson se numri i incidenteve dhe vëzhgimeve është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Rusia po prodhon çdo vit një nëndetëse të re të klasit “Kilo” në qytetin e Shën Petersburgut dhe në enklavën e militarizuar të Kaliningradit, mes Polonisë dhe Lituanisë. Ky aktivitet është pjesë e një “programi të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm modernizimi”, thekson Petković, duke paralajmëruar se kapacitetet detare ruse do të rriten edhe më shumë, shkruan A2 CNN. Ai shton se pas një armëpushimi të mundshëm në Ukrainë, Moska ka gjasa të zhvendosë më shumë burime dhe mjete ushtarake drejt Baltikut, duke shtuar presionin mbi vendet nordike dhe aleancën e NATO-s.
Përveç mjeteve ushtarake, Suedia është e shqetësuar edhe për të ashtuquajturën “flotë hije”, cisterna të vjetra të naftës me flamur civil që transportojnë naftë ruse. Petković nuk përjashton mundësinë që këto anije të përdoren për nisjen e dronëve ose operacione të tjera hibride. “Vetë flota hije nuk është problem ushtarak, por mund të përdoret për veprime që ndikojnë sigurinë tonë”, thotë ai.
Deti Baltik ka kushte të vështira nënujore, terren të thyer, ujëra me kripësi të ndryshme dhe dukshmëri të ulët, çka e bën më të lehtë fshehjen e nëndetëseve dhe më të vështirë mbrojtjen e kabllove dhe infrastrukturës nënujore. Vendet me varësi më të lartë nga linjat detare, si Suedia, Finlanda, Norvegjia, Estonia dhe Lituania, janë më të rrezikuarat në rast të ndërhyrjeve ose akteve sabotuese.
Megjithatë, Petković beson se rritja e vigjilencës së NATO-s ka dhënë rezultat. Ai përmend operacionin “Baltic Sentry”, i nisur në janar, i cili duket se ka kontribuar në uljen e incidenteve me kabllot nënujore. “Ky operacion tregon forcën e aleancës dhe faktin se po veprojmë të bashkuar ndaj kërcënimeve. Vetë prania e rritur e NATO-s ka rritur kujdesin edhe tek mjetet civile që lundrojnë në rajon”, thekson ai.
Suedia së fundmi priti stërvitjen e madhe të NATO-s “Playbook Merlin 25”, ku u përfshinë shtatë vende të aleancës dhe SHBA-ja. Qindra marinarë e pilotë ushtruan taktika të luftës kundër-nëndetëse në kushtet unike të Baltikut, duke u përgatitur për një potencial sulm nënujore.






