Përfaqësuesit e platformës Liria ka emër, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, vizituan sot në Burojë nënën e ish-presidentit Hashim Thaçi, Nënën Hyrë, nga ku morën mbështetje për marshin që pritet të mbahet më 17 shkurt në ora 14:00, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një postim të platformës, thuhet se vizita u zhvillua në shenjë solidariteti dhe për të kërkuar përkrahje për marshin e paralajmëruar.
“Sot, në Burojë, te pragu i një nëne që ka dhënë shumë për këtë vend, ndjemë peshën e historisë dhe forcën e heshtur të qëndresës. Nënë Hyrë, nëna e Presidentit Thaçi, qëndron si simbol i sakrificës, dinjitetit dhe besimit se drejtësia do të triumfojë. Dhe ne besojmë njësoj: Presidenti do të kthehet në shtëpi, aty ku e presin familja, populli dhe Kosova,” thuhet në postimin e platformës.
Në të njëjtin reagim theksohet edhe thirrja për pjesëmarrje në marshin e 17 shkurtit.
“Sepse liria jonë nuk është rastësi. Është sakrificë. Është betim. Është histori që nuk zhbëhet. Më 17 shkurt, marshojmë jo vetëm me hapa, por me zemër. Për drejtësi. Për dinjitet. Për kthimin e çlirimtarëve në shtëpi,” përfundon postimi.










