spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Negociatat e pritshme Rusi-Ukrainë, ç’do të ndodhë nëse Putin e refuzon armëpushimin?

Në javën e fundit të punës përpara Krishtlindjeve, udhëheqësit e BE-së u mblodhën për një takim që mund të jetë historik, por jo për arsyet që shpresonin ata. Të udhëhequr nga Kaja Kallas – ish-kryeministre e Estonisë, dhe tani drejtuese e politikës së jashtme dhe sigurisë në BE – liderët ripohuan mbështetjen e tyre për Kievin.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se “vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e paqes”, ndërsa presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, e vuri theksin tek nevoja për të mbështetur presidentin Zelensky, duke lënë të nënkuptohet përparimin në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Megjithatë, ajo që e bëri historik këtë samit, nuk ishte uniteti i shprehur, por përçarjet që e pasuan. “Brenda BE-së nuk ka konsensus mbi këtë çështje, dhe ju nuk mund të veproni në emër të Këshillit Evropian!”- deklaroi me ton të lartë kryeministri hungarez Viktor Orbán, një nga sabotuesit e përhershëm të përpjekjeve për të pasur një qëndrim evropian koherent ndaj Rusisë.

Ndërkohë Von der Leyen e pranoi këtë problem: “Ne kemi nevojë të dimë më shumë në lidhje me planet e administratës së ardhshme të SHBA-së”. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i çështjes.

Pavarësisht paralajmërimeve prej më shumë se një viti, se një presidencë e re e Trump ishte një mundësi reale, Evropa dështoi të hartojë këtë vit një strategji të fuqishme dhe të pavarur, dhe sigurisht më pak të varur nga SHBA-ja. Tani, fati i Evropës, dhe ai i Ukrainës, mbetet i lidhur me vullnetin e mirë të një aleati që së shpejti mund të rezultojë të jetë i pabesueshëm.

Prandaj, nesër historianët mund të kthejnë kokën pas tek ky takim, duke thënë se Evropa nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpresonte për ndonjë mrekulli nga përtej Atlantikut. Pra që shumë shpejt Donald Trump ta arrinte një marrëveshje paqeje të favorshme me Vladimir Putinin.

Por kjo bazohet tek supozimi se Rusia do të ulet me seriozitet në tryezën e negociatave në fillim të vitit 2025. Por pyetja që askush nuk duket se po e ngre është: Po sikur ai të mos e bëjë këtë?

Duke pasur parasysh dinamikat në fushën e betejës dhe objektivat e Moskës, shumë ekspertë mendojnë se Putini do ta vazhdojë luftën, për aq kohë sa ia lejon ekonomia ruse. Kremlini mund të shfaqë në janar një qasje pozitive, duke pretenduar se është i hapur ndaj bisedimeve kuptimplota.

Po sikur propozimet e tij të jenë të papranueshme për Ukrainën dhe aleatët e saj? Kjo është një pyetje thelbësore, e cila në Evropë duket se është shpërfillur pothuajse tërësisht. Sa për SHBA-në, zgjedhja mund të jetë e lehtë: tërheqje e plotë. Po atëherë çfarë do të bënte një Evropë, që ka dështuar të përgatitet në mënyrën e duhur për këtë skenar, dhe që megjithatë nuk mund ta lejojë kapitullimin e Kievit?

Duke reflektuar mbi këtë ngërç, më kujtohet lutja e presidentit amerikan Woodrow Wilson në vitin 1917: “Vetëm një Evropë e qetë, mund të jetë një Evropë e qëndrueshme. Duhet të ketë, jo një ekuilibër fuqie, por një bashkësi fuqish; jo rivalitete të organizuara, por një paqe të përbashkët të organizuar”.

Ndërsa Lidhja e Kombeve e ideuar prej tij dështoi, besimi i Ëilson tek vlerat më të larta mbi fuqinë e ashpër ushtarake mbijetoi, veçanërisht pas krijimit të OKB-së pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë sot, shumë njerëz në Perëndim duket se i kanë braktisur këto parime, duke preferuar gjuhën e forcës ushtarake.

“Balanca e fuqisë” dhe “sferat e ndikimit”, janë terma që i dëgjojmë shumë shpesh. Koncepte të tilla u lënë terren moral regjimeve autoritare, duke u dhënë atyre mundësi të pretendojnë legjitimitet aty ku nuk e kanë diçka të tillë. Refuzimi i parimit se një popull ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e tij, është i barabartë me braktisjen e vetë demokracisë.

E megjithatë, shumë e bëjnë këtë kur deklarojnë se “NATO u zgjerua shumë afër Rusisë, ndaj Putini ka të drejtë të jetë i mërzitur!”. Ukraina po kërkonte në kutinë e votimit një të ardhme më afër Evropës dhe larg ish-padronëve të saj imperialistë.

Putini nuk kishte të drejtë të ndërhynte me forcë, vetëm sepse një popull fqinj nuk donte të qeverisej nga rregullat e shekullit XIX. E përmend këtë, sepse moralisht Perëndimi nuk duhet të ndjekë negociatat, por të punojë për humbjen e Rusisë në këtë luftë.

Dhe dështimi për ta bërë këtë, reflekton një pranim të rrezikshëm të një realiteti të ndërtuar mbi ide të gabuara. Edhe nëse vazhdojnë bisedimet, rezultatet e tyre mund të jenë vërtet të këqija. Rusia mund të refuzojë negociatat, duke e lënë Evropën të papërgatitur për ta armatosur siç duhet Ukrainën, ndërsa Trump nuk e vazhdon mbështetjen e SHBA-së.

Ose Putini mund të shtiret sikur i do sinqerisht bisedimet, por duke i zvarritur ato sa më shumë që është e mundur ndërsa e vazhdon luftën në terren, vetëm për të ofruar në fund një marrëveshje të tmerrshme: aneksimin e territorit të pushtuar, pa asnjë garanci se Ukraina apo Evropa mund ta pranojnë.

Ndryshimet e fundit gjeopolitike – dhe kryesisht rrëzimi i njërit prej regjimeve më brutale të Lindjes së Mesme – i ka inkurajuar ata që argumentojnë se diktaturat duken të forta, derisa ato bien papritur. Dhe pasojat e saj janë tejet domethënëse, veçanërisht kur Trump është gati të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ai është një njeri që i mbështet fituesit. Dhe humbjet e fundit të Rusisë mund ta nxisin atë ta shohë Moskën si një pengesë, sidomos nëse ekonomia e saj nis një rënie të lirë, siç po e parashikojnë disa. Tashmë rubla po luhatet fort, produktet bazë po bëhen shumë të shtrenjta dhe po rriten shpenzimet e mbrojtjes.

Kjo situatë nuk mund të zgjasë shumë. Skenari më i mirë, është që nëse Rusia refuzon të negociojë seriozisht, narrativa mund të ndryshojë, duke e ekspozuar Moskën – dhe jo Kievin – si pengesën kryesore për paqen. Ky mund të jetë momenti kur Uashingtoni mund të vendosë të dyfishojë mbështetjen e Ukrainës, duke forcuar ndikimin e saj në fushën e betejës, dhe duke e detyruar Moskën të negociojë seriozisht.

Por ky është skenari më optimist. Madje ai përfshin një luftë më të gjatë dhe më të përgjakshme. Prandaj është kaq katastrofike që Evropa nuk po e tregon kapacitetin e saj – si në aspektin moral ashtu edhe në atë ushtarak – për të mbështetur Ukrainën jo vetëm për të luftuar, por për të fituar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit