Kupa e Botës në futboll nuk është vetëm një garë për trofeun më të lakmuar, por edhe një arenë ku shkruhet historia e sportit. Çdo edicion i saj sjell mundësi të reja për thyerje rekordesh, ndërsa emra të mëdhenj të futbollit botëror afrohen gjithnjë e më shumë drejt arritjeve legjendare.
Në prag të turneut të ardhshëm, vëmendja nuk është vetëm te skuadrat pretendente, por edhe te individët që mund të lënë gjurmë në librin e rekordeve. Nga trajnerë me përvojë deri te yje si Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Kilian Mbape, gara për histori mbetet e hapur.
Trajnerët dhe rekordet e jetëgjatësisë
Rekordi për trajnerin më të vjetër në një Botëror mbahet nga Oto Rehagel, i cili në vitin 2010 drejtoi Greqinë në moshën 71-vjeçare. Ky rekord mund të rrezikohet nga Miroslav Kubek, aktualisht 74 vjeç, si dhe nga Hugo Brus i Afrikës së Jugut, që pritet të ketë të njëjtën moshë gjatë turneut.
Ndërkohë, për numrin më të madh të ndeshjeve si trajner kryeson Helmut Shën me 25 takime. Didier Deshamps, aktualisht me 19, mund të afrohet ose edhe ta thyejë këtë rekord nëse Franca avancon në fazat e mëtejshme.
Veteranët në fushë
Në kategorinë e golashënuesve më të vjetër në fazat me eliminim direkt, rekordi mbahet nga Pepe (39 vjeç). Kandidatë për ta kaluar janë Kristiano Ronaldo (41), Luka Modriç (40) dhe Edin Xheko (40).
Gara për gola dhe fitore
Miroslav Klose mban rekordin për më shumë gola në Botëror (16) dhe për më shumë fitore (17). Lionel Mesi është shumë pranë në të dyja statistikat, me 13 gola dhe 16 fitore, ndërsa Mbape (12 gola) konsiderohet një pretendent serioz për të ardhmen.
Talente të reja dhe çmime individuale
Rekordi për fituesin më të ri të “Topit të Artë” mbahet nga Ronaldo braziliani, i cili e fitoi në moshën 21-vjeçare në vitin 1998. Emra të rinj si Lamin Jamal, Dezajër Due dhe Niko Paz përmenden si kandidatë potencialë, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë këtë nivel.
Rekorde të tjera në rrezik
Denílson kryeson me 11 paraqitje si zëvendësues, ndërsa Markus Rashford (9) është shumë pranë.
Rekordi për porta të paprekura mbahet nga Peter Shilton dhe Fabien Bartez (10), me Tibo Kurtua (7) në ndjekje.
Për golat nga jashtë zone, Rivaldo mban rekordin me 5, ndërsa Mesi është vetëm një gol larg barazimit.
Për pjesëmarrjet në Botëror, disa lojtarë ndajnë rekordin me nga 5, përfshirë Mesin dhe Ronaldon, të cilët mund ta thellojnë këtë arritje.
Kafu mban rekordin me 3 finale të luajtura, ndërsa Mesi dhe Mbape kanë nga 2.
Gabriel Batistuta kryeson me tregolësha në dy edicione të ndryshme, ndërsa Heri Kejn, Kilian Mbape, Gonçalo Ramos, Kristiano Ronaldo me vetëm një tregolësh i ndan këta lojtarë nga historia.









