Rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk u hodh fare në votim gjatë seancës së sotme të Kuvendit.
Në seancë ishin të pranishëm vetëm 27 deputetë, ndërsa diskutimet u përcollën me tensione dhe përplasje mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola tha se votimi i kësaj rezolute do të shtyhet për seancën e ardhshme.
Rezoluta nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, me arsyetimin se ulja e akcizës do të kishte efekt të vogël për qytetarët, por do të shkaktonte humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.
Propozimi parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë, deri në stabilizimin e çmimeve, si dhe uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8%. Po ashtu, rezoluta parashihte subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë, duke përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.









