Howard Tucker, 102 vjeç, mban titullin si mjeku më i moshuar në botë që ende praktikon profesionin dhe thotë se nuk ka ndërmend të ndalet. Pasi spitali ku mësonte studentët mbylli dyert në vitin 2022, ai është në kërkim të mundësive të reja për të vazhduar punën.
“Për momentin, jam pa punë,” tha Tucker për National Geographic. Por kjo nuk e ndalon neurologun që ka nisur karrierën në vitin 1947 dhe që më vonë ka kaluar edhe provimin e jurisprudencës në moshën 67-vjeçare. Ai vazhdon të japë mësim në universitet dhe këshillon në raste ligjore mjekësore.
Tucker ka fituar famë të re edhe në rrjetet sociale. Në TikTok, ai ka mbi 100 mijë ndjekës, falë nipit të tij Austin dhe producentit Taylor Taglianetti, të cilët kanë realizuar dokumentarin What’s Next? që portretizon jetën dhe arritjet e tij.
Në prag të ditëlindjes së 103-të, Tucker ndau sekretet e tij për jetë të gjatë dhe të shëndetshme: aktiviteti mendor dhe social, shmangia e urrejtjes, dhe jo duhan. “Kur nuk përdor trurin, e humb. Pensionimi është armiku i jetëgjatësisë,” theksoi ai.
Ndër të tjera, ai paralajmëroi për efektet e duhanit dhe marihuanës në shëndet. “Në vitet ’50, doktorët pinin cigare në krevat spitali me pacientët. Tani po ndodh një normalizim i ngjashëm me marihuanën, por pasojat janë serioze,” paralajmëron ai.
Sa i përket ushqimit dhe alkoolit, ai beson në moderim. “Kam parë shumë dieta që vijnë dhe shkojnë. Por është e qartë që ushqimi i shëndetshëm dhe i pakrahasuar ndihmon në shmangien e sëmundjeve.”
Në një botë që ecën gjithnjë më shpejt drejt pushimit të hershëm nga puna, Howard Tucker është dëshmi e gjallë se një jetë e gjatë dhe e pasur vjen nga angazhimi, kurioziteti dhe një dashuri e sinqertë për jetën.







