Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës theksoi se shteti është ndërtuar falë sakrificave të brezave të ndryshëm.
Ai shtoi se përfaqësuesit që ishin pjesë e shpalljes së pavarësisë dhe që aktualisht ndodhen padrejtësisht në Hagë, do të kujtohen gjithmonë për kontributin e tyre të çmuar për lirinë e Kosovës.
“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të harrojmë se disa prej përfaqësuesve që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Republikës sonë sot ndodhen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i tyre për pavarësinë është i çmuar”, tha ai.
Kurti shtoi se sot nderohen të rënët për lirinë e Kosovës. Kryeministri theksoi se shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë, barazisë dhe drejtësisë, prosperitetit dhe gjithëpërfshirjes. “Secili qytetar, pavarësisht gjuhës, etnisë, fesë apo përkatësisë, është i barabartë para ligjit”, tha Kurti.
Ai përmendi njohjet ndërkombëtare, që tani numërojnë 121 vende, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit; ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe në rritje; forcimin e ushtrisë dhe kapaciteteve mbrojtëse; sukseset ndërkombëtare në sport, art dhe kulturë; dhe pjesëmarrjen aktive në forume botërore.
Kurti foli gjithashtu për lëvizjen e lirë pa viza dhe hapat konkret drejt integrimeve evropiane, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, duke i cilësuar si arritje që na bëjnë krenarë të gjithë.
Ai tha se përforcimi dhe zhvillimi i shtetit tonë kërkon angazhim të përbashkët me punë, dije dhe integritet.
“Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, ushtarë e policë, të rinj e të moshuar, gra e burra, vajza dhe djem, të gjithë duhet të japim maksimumin e kontributit tonë. Sepse kwtw nga e ne epresin për brezat që erdhën dhe për rininë e fëmijët e Kosovës, që të vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe krenarë për vendin e tyre”, tha Kurti.










