Gazeta ka raportuar dje se togeri Suad Murati ka ndryshuar pozitën brenda Policisë së Kosovës, pasi vetë ai e kishte konfirmuar këtë lëvizje, pa dhënë detaje se cilin sektor do ta udhëheqë.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta ka kontaktuar Policinë e Kosovës, nga e cila ka marrë një përgjigje lidhur me sistemimin dhe caktimin e zyrtarëve policorë në pozita të ndryshme.
Në përgjigjen e saj, PK-ja ka bërë të ditur se këto ndryshime bëhen në bazë të udhëzimeve administrative, procedurave ligjore, nevojave për plotësimin e strukturës organizative dhe planifikimeve të personelit.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimet administrative dhe procedurat e parapara ligjore, si dhe bazuar në nevojat e plotësimit të strukturës organizative dhe planifikimeve të personelit policor, bën sistemimin/caktimin e zyrtarëve policorë në detyra/pozita të caktuara”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Tutje, PK-ja thekson se është organizatë dinamike dhe se vazhdimisht bën caktime e emërime të personelit në pozita të ndryshme, varësisht nga nevojat operacionale dhe riorganizimi i brendshëm.
Megjithatë, në përgjigjen e saj, Policia nuk ka dhënë sqarime konkrete nëse Murati është caktuar në krye të Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, siç është raportuar në media.
Ndryshe, gjatë dy vjetëve të fundit, Suad Murati kishte qenë udhëheqës i Sektorit Rajonal të Hetimeve në Policinë e Gjilanit.









