Pas një heshtjeje të gjatë dhe mungesës së informacioneve zyrtare, mediat ndërkombëtare janë rikthyer së fundmi te gjendja shëndetësore e legjendës së Formula 1, Majkëll Shumaker.
Vetëm pak ditë pas përkujtimit të 25-vjetorit të titullit të tij të parë botëror me Ferrarin, gazetari i njohur francez i “L’Équipe”, Stefan L’Hermit ka ndarë disa të dhëna të reja që mund të përbëjnë një nga sinjalet më domethënëse për shëndetin e ish-kampionit.
Në një intervistë radiofonike, L’Hermit u shpreh se informacionet mbeten të pakta dhe të paqarta, por një detaj i fundit ka ngjallur shpresë: një helmetë me autograf e Majkëll Shumakerit e vënë për bamirësi. “Si ka mundësi që e ka nënshkruar? A ia ka mbajtur dorën bashkëshortja e tij? Nuk kemi siguri, por është hera e parë pas shumë vitesh që kemi një sinjal të tillë pozitiv thuajse një shenjë jete”, tha gazetari.
Megjithatë, ai theksoi se nuk ka ende informacion konkret mbi gjendjen fizike të Shumakerit. Sipas tij, 7 herë kampioni i Botës në Formula 1 vazhdon të mos komunikojë verbalisht dhe nuk është parë duke ecur, duke shtuar se ndërveprimi i tij me familjen mbetet i kufizuar.
“Nuk do të thoja se po ia del mbanë, por ndoshta po ia del pak më mirë”, shtoi L’Hermit, duke theksuar se burimi i vetëm i besueshëm për informacionet mbi Shumakerin mbetet familja e tij, e cila që nga aksidenti tragjik në dhjetor të vitit 2013 ka zgjedhur të ruajë privatësinë absolute.
Gjendja e Majkëll Shumakerit vazhdon të mbetet një nga misteret më të mëdha të botës së sportit modern, me miliona fansa që presin çdo shenjë shprese nga heroi i tyre.






